Lajme

Gërvalla u mburr me dy njohje, reagon Krasniqi: Asnjëra prej tyre nuk ka ardhur si rezultat i punës së kësaj qeverie

08/11/2025 13:03
nga:Genita C

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, i ka reaguar ministres së Jashtme në Detyrë, Donika Gërvalla pasi ajo sot u lavdërua se gjatë kohës sa ka qenë ministre, Kosova i ka pasur dy njohje ndërkombëtare.

Krasniqi ka thënë se Gërvalla është mburrur me njohjes që nuk kanë ardhur si rezultat i punës së saj.

“Ministrja Gërvalla sot mburret me “dy njohje” gjatë kësaj qeverisjeje. Por e vërteta është e thjeshtë: asnjëra prej tyre nuk ka ardhur si rezultat i punës së kësaj qeverie.”,. ka shkruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, poziconi ndërkombëtar i Kosovës është më i keqi ndonjëherë meqë Kosova është nën sanksione nga partnerët perëndimorë, marrdhëniet me aleatët i ka të acarara dhe nuk është bërë asnjë hap drejt integrimit ndërkombëtar.

“Dhe mbi të gjitha, kjo qeveri ka shënuar dështimin më të madh diplomatik të viteve të fundit – mospranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku fajtorët kryesorë janë Ministrja Donika Gërvalla dhe Kryeministri Albin Kurti.Ky ishte një shans historik për vendin, por u humb për shkak të papërgjegjësisë, mungesës së koordinimit dhe prishjes së raporteve me partnerët tanë. Ky nuk është sukses diplomatik, ky është dështim historik në përfaqësimin e vendit.”, ka shkruar Krasniqi.

Sot, Donika Gërvalla, në konferencën e tetë të ambasadorëve ka folur në superlativ për qeverisjen katër vjeçare të Qeverisë Kurti II, ku ka shërbyer si Ministre e Jashtme, duke thënë se gjatë kësaj kohe është “forcuar pozicioni ndërkombëtar” i Kosovës.

Ajo theksoi reformat në MPJD, përfshirë transparencën, menaxhimin financiar dhe uljen e shpenzimeve të panevojshme.Gjatë vitit, Kosova ka arritur dy njohje të reja dhe është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, duke forcuar pozicionin e saj global.

“Ky është takimi ku përmbledhim punën e bërë, vlerësojmë rezultatet dhe përcaktojmë hapat për vitin që vjen. MPJD ka kaluar një reformë thelbësore duke vendosur standarde të reja të transparencës dhe menaxhimit të përgjegjshëm financiar. Sot çdo euro e buxhetit përdoret me plane të qarta të arsyetuara dhe me kontroll të plotë. Kemi arritur të ulim shpenzimet e panevojshme. Gjatë këtij viti kemi arritur edhe dy njohje të reja të shtetësisë së Kosovës duke forcuar pozicionin ndërkombëtar. Kemi siguruar anëtarësimin në një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare duke zgjeruar hapësirën ku Kosova është e pranishme dhe aktive”, tha Gërvalla.