Lajme

Gërvalla takoi ministrin francez, diskutojnë për integrimin euroatlantik të Kosovës

03/16/2022 22:12
nga:Astrit Gashi

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, të mërkurën e 16 marsit është takuar me Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, Clement Beaune, ku me ç’rast që të dy kanë diskutuar për çështjen e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Sipas kryediplomates kosovare, me Beaune është diskutuar edhe tema e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kënaqësi ta takojë Clement Beaune, diskutuam për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe çështjet në lidhje me dialogun. Ne ndamë gjithashtu shqetësimin tonë për situatën në Ukrainë dhe implikimet e sigurisë që ajo paraqet për Bashkimin Evropian”, ka shkruar Gërvalla në rrjetin e saj social në Twitter.

Ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate për media kishte bërë të ditur se temat kryesore e takimeve bilaterale të kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla në Forumin e Diplomacisë në Anatali, ka qenë forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gërvalla, thuhet në njoftim, realizoi një sërë takimesh me homologët të saj të ndryshëm, të cilëve ua qartësoi pozicionin e Kosovës në një numër temash të ndryshme.

Në takim me ministrim e jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, Gërvalla theksoi qendrimin e vendosur të Kosovës kundër agresionit dhe pushtimit rus të Ukrainës, si dhe falënderoi kryediplomatik turk për deklaratat e Presidentit Erdogan për mbështetje ndaj Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.