Lajme

Gërvalla takohet me homologun e saj turk, në fokus bashkëpunimi ekonomik

07/01/2024 09:23
nga:G C

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka takuar ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

Në këtë takim sipas njoftimit të MPJD-së, në fokus ka qenë bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

“Fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, ishin temat në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, të mbajtur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut.”

“Ministrja Gërvalla dhe Ministri Fidan vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona, përfshirë përkrahjen unanime nga deputetët e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.” – thuhet në njoftim për medie.

Më tej, Gërvalla dhe Fidan kanë folur edhe për angazhimin e Turiqisë në kuadër të NATO-s dhe KFOR-it.

“Një vlerësim i veçantë u shpreh për angazhimin e Turqisë në kuadër të NATO-s dhe KFOR-it, duke e cilësuar si një përkrahje të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në rajon. Ministrja Gërvalla veçanërisht mirëpriti rolin konstruktiv të komandantit turk të KFOR-it në Kosovë. Në kontekst të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe aspiratës legjitime të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Ministrja Gërvalla mirëpriti vazhdimin e përkrahjes turke për realizimin sa më të shpejtë të këtij synimi.” – përfundon komunikata.