Lajme

Gërvalla reagon ndaj kritikave të Opozitës, i akuzon për pazare e krime politike

02/08/2024 16:29
nga:G C

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se në ditën kur me kryeministrin Albin Kurti do të marrin pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku do të ballafaqohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, opozita “ka zgjedhur për të debatuar rreth MPJD-së”.

Ajo kritikoi vendimin e opozitës për të refuzuar propozimin për shtyrjen e kësaj pike të rendit të ditës për seancën e ardhshme, duke thënë se nuk i shmanget asnjë debati dhe mezi pret të flet.

Ajo ka theksuar se do të diskutohet për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizimin dhe shkeljet konstante të ligjit në këtë ministri.

“Meqenëse detyra ime ma kërkon që sot të jem në Nju Jork dhe nga pamundësia që të jem e pranishme në atë seancë të Kuvendit, dua të përcjell mesazhin që jo vetëm që nuk i shmangem asnjë debati dhe asnjë hetimi, por mezi po pres që të flasim edhe për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizimin dhe shkeljet konstante të ligjit në këtë ministri. Mezi po pres!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka thënë se Qeveria e ka kryer reformën më të thellë në këtë institucion, duke vendosur në çdo segment si kriter të vetëm ligjin si brenda ministrisë, ashtu edhe në misione diplomatike jashtë vendit.

Mes tjerash ajo ka thënë se “ka vdekur koha e pazareve dhe emërimeve të ambasadorëve dhe konsujve nëpër kafene, telefonata të stilit pronto dhe në oda, të shpenzimeve marramendëse për udhëtime dhe hotele, të shitjes së pasaportave nëpër stacione trenash dhe pika karburanti, të sorollatjes me pasaporta dhe targa diplomatike dhe lloj-lloj malli nëpër ato vetura, të tonit harbut ndaj qytetarëve nëpër konsullata”.

Për të gjitha akuzat e përmendura, ministrja Gërvalla ka thënë se mezi po pret të flasin edhe në Kuvend por edhe në publik.