Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Prishtina është e gatshme të pranojë propozimin franko-gjerman si bazë për bisedime të mëtejshme, por se nuk e lejon krijimin e “një tjetër Republikë Srpska”, shkruan GazetaBlic.
Në një intervistë për agjencinë boshnjake Fena, ajo tha se njohja e Kosovës do të ishte një kontribut i madh, madje historik për stabilitetin dhe paqen.
Gërvalla ka deklaruar se Kosova është ndryshe nga Bosnja dhe Hercegovina, sepse edhe pse kanë, siç tha ajo, të njëjtat forca që po mundohen t’u krijojnë probleme, Kosova nuk është e ndarë në strukturën qeveritare.
Ajo shtoi se më shumë se 94 për qind e qytetarëve të Kosovës i përkasin një kombësie, dhe Kushtetuta është, thotë ajo, “më e mira për pakicat në Evropë”, pasi që Kosova ka “edhe për pakicat një vend të garantuar në qeveri”.
Gërvalla tha gjithashtu se qeveria është në kontroll dhe është në gjendje të garantojë sigurinë dhe sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore, madje edhe përkundër, siç thotë ajo, “strukturave të dhunshme kriminale që përpiqen të frikësojnë serbët, shqiptarët, boshnjakët dhe qytetarët tjerë të Kosovës në atë pjesë të vendit”, përcjellë GazetaBlic.
“Kjo është një pyetje e vërtetë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, dhe në lidhje me këtë edhe për Perëndimin: sa jemi të gatshëm dhe për sa kohë do të tolerojmë një Rusi gjithnjë e më agresive dhe ndërmjetësuesit e saj gjithnjë e më agresiv në Ballkan, duke filluar nga Vuçiq dhe Daçiq e deri te Dodik?”, pyeti ajo.
Siç u shpreh Gërvalla, Perëndimi duhet të japë një përgjigje, në mënyrë që të mos përsëriten vitet 1990.
“Nëse ne, si Perëndim, dështojmë përsëri, Evropa mund të përfundojë përsëri në një luftë të madhe. Ose do të ndalojmë ata që bëjnë luftë dhe ata që kërcënojnë me luftë si Putin, Vuçiç, Daçiç, Vulin dhe ekstremistët e tjerë, ose shumë shpejt do të jetë shumë vonë”, paralajmëroi Gërvalla.
Ajo ka deklaruar se situata në Kosovë është stabile “aq sa është e mundur të jetë”.
“Qeveria dhe populli mbeten të qetë dhe nuk reagojnë në të njëjtën mënyrë si nacionalistët e mbushur me urrejtje që po përpiqen të provokojnë konflikt,” shtoi Gërvalla.
Kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ajo tha se Kosova është e gatshme të pranojë propozimin franko-gjerman si bazë për bisedime të mëtejshme, por se “ata nuk lejojnë krijimin e një Republika Srpska në Kosovë, pasi që theksoi se madje një e tillë është e tepërt.
“Në vend të kësaj, ne po fokusohemi në marrëveshjen përfundimtare që duhet të rezultojë, siç i thanë presidenti Biden dhe kancelari Scholz Vuçiqit me njohje reciproke”, shpjegoi Gërvalla.
E pyetur se cili është pozicioni aktual ndërkombëtar i Kosovës, veçanërisht në lidhje me vazhdimin e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve, ajo tha se “të gjithë e dinë atë lloj propagande nga Beogradi”, por anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk varet vetëm nga Serbisë.
Ajo shtoi se Perëndimi, pjesë e të cilit është edhe Kosova, duhet të ndajë politikën e vet nga Serbia dhe Rusia.
“Ne duhet të lëvizim së pari në vend që të ngecim prapa. Pra, së pari të shkoni për njohje nga anëtarët e mbetur të BE-së dhe NATO-s dhe t’i dërgoni një sinjal Rusisë – ‘Nuk ka asgjë për të rrëmbyer këtu, ka mbaruar’. Sapo Greqia ose Spanja ose ndonjë nga pesë anëtarët e mbetur të njohin Kosovën, BE-ja do t’i lëvizë gjërat nga një qorrsokak dhe do ta detyrojë Serbinë të rillogarisë pozicionin e saj”, beson Gërvalla.
Ajo gjithashtu pretendon se njohja e realitetit, pra pavarësia e Kosovës, do të ishte një sinjal për nacionalistët në Serbi se destabilizimi i fqinjëve, si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, nuk është një recetë suksesi.
“Vuçiq dhe Daçiq ndjekin ideologjinë e supremacisë serbe, e cila është një koncept racist. Nëse Serbia dëshiron të hyjë në shekullin e 21-të, duhet t’i japë fund atij racizmi. Nëse Serbia do të bëhej vërtet evropiane, tensionet dhe problemet në Ballkan do të zhdukeshin shpejt”, tha Gërvalla.
Në këtë kuptim, ajo përmendi se Serbia është “elefanti në dhomë” dhe se për këtë duhet folur.
Ajo e sheh “ideologjinë raciste të supremacisë serbe” si “shkakun themelor të problemeve të Serbisë me Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën”.
Ajo shton se Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe se ka ecur shumë shpejt në këtë drejtim dhe se kanë mbështetje të madhe nga shumë vende, përcjellë GazetaBlic.


