Pas dështimit të 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, e ka quajtur bllokadën një veprim të pakuptimtë që tashmë ka humbur çdo arsyetim politik apo institucional.
Gërvalla ka deklaruar se janë dëshmitarë të një përsëritjeje absurde të një situate që po e pengon themelimin e institucioneve të reja, duke i bërë thirrje opozitës të reflektojë.
“Jemi dëshmitarë të një përsëritjeje të pakuptimtë të një bllokade, e cila tashmë e ka humbur kuptimin e vet. Bllokada do të thotë mosvotim dhe pamundëson konstituimin e Kuvendit”, ka theksuar ajo.
Gërvalla u bëri thirrje të gjithë deputetëve opozitarë që të braktisin, siç e quajti ajo, këtë “strategji destruktive” dhe të marrin përgjegjësi për mandatin që u është dhënë nga qytetarët.
“I bëj thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që të heqin dorë nga kjo strategji destruktive, të marrin përgjegjësi për votën e qytetarëve dhe të marrin pjesë në votim. Ne kemi nevojë për unitet për shtet, jo për pushtet”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka shtuar se vota e fshehtë, e cila po kundërshtohet nga opozita dhe për të cilën ende nuk është formuar komisioni përkatës, është një instrument demokratik në çdo shoqëri.


