Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.
Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast Gërvalla ka theksuar se Perëndimit i nevojitet që të ketë një qasje të re ndaj Ballkanit.
“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.
Ndryshe, Ministrja Gërvalla ka thënë se me homologun e saj britanik, David Cameron ka diskutuar edhe për zhvillimet e jashtëzakonshme të Kosovës, e sidomos atë të sundimit të ligjit dhe forcimit të demokracisë gjatë vitit 2023.
“Është vizita e parë e ministrit të jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, David Kameron pas një kohe kogja të gjatë. E njoftova rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fushat e ndryshme. E sidomos atë të sundimit të ligjit dhe forcimit të demokracisë në vend gjatë vitit 2023, duke vënë në pah në të njëjtën kohë sfidat me të cilat u përballem”, ka thënë Gërvalla.
Tutje Gërvalla ka shtuar se homologun britanik e ka falenderuar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës vazhdimisht, para dhe pas luftës.


