Lajme

Gërvalla pas raportimeve për humbjen e 400 pasaportave: Dezinformatë, po duan ta shohin Kosovën të dëmtuar

10/25/2024 22:00
nga:Sh R

Kryediplomatja Donika Gërvalla ka bërë një reagim të ashpër, pas raportimeve në lidhje me humbjen e 400 pasaportave të mërgimtarëve, mbi 160 letërnjoftimeve dhe vendimeve për shtetësinë.

Pas raportimeve të mediave dhe reagimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ajo ka pretenduar se “janë aktivizuar ata që u është mbyllur dera e mashtrimit”.

“Qenkan aktivizuar me të madhe ata që ua mbyllëm derën e mashtrimit, keqmenaxhimit, ryshfetit, korrupsionit dhe blerjes së gradave diplomatike, me sulme të reja të mbështetura në dezinformata, duke publikuar tituj që reflektojnë dëshirën e tyre dhe të financuesve të tyre për ta parë Kosovën të dëmtuar e të njollosur, por jo realitetin e ri ku ligji tashmë sundon në terësi.

Këto deklarata nuk janë asgjë më shumë se shpifje të turpshme dhe përpjekje të dëshpëruara për të manipuluar opinionin publik”.

Gërvalla ka pretenduar se nuk ka humbur asnjë dokument, por janë vonuar.

“E vërteta është se asnjë dokument nuk ka humbur. Bëhet fjalë për një vonesë në mbërritjen e tyre në destinacion e përcaktuar – çështje kjo të cilën MPJD e ka adresuar me vendosmëri tek organet kompetente dhe duke e shkëputur kontratën me operatorin, i cili përkundër refuzimit të bazuar të MPJD-së, ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe jo nga MPJD.

MPJD vazhdon me përkushtim t’u shërbejë mërgimtarëve tanë, duke ndëshkuar sipas ligjit çdo akt papërgjegjësie dhe duke siguruar që përgjegjësitë ligjore të respektohen deri në fund”.