Lajme

Gërvalla: Oferta jonë e humbi relevancën pas mbledhjes së sotme në KiE

05/17/2024 14:52
nga:Sh R

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se oferta e tyre për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese e ka humbur relevancën dhe aktualitetin pas mbledhjes së sotshme në KiE.

“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka thënë ministrja.

Gërvalla ka thënë se në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Nuk kemi lënë gur pa lëvizur, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla për mos futjen në agjendë të anëtarësimit të Kosovës në KiE nga ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare ka thënë se në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila sipas saj në opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë.