Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione e ndërkombëtare.
Ajo nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj. “Betimi për Drejtësi” pati hulumtuar pozitat e saj.
Agjencia kundër Korrupsionit -AKK është institucioni që mbikëqyrë pasuritë e zyrtarëve të lartë publik dhe personave të tjerë, siç parashihet me ligj të veçantë.
Në këtë institucion nuk kanë treguar nëse kanë nisur hetimet ndaj zëvendëskryeministres Donika Gërvalla, pas raportimeve se ajo nuk ka deklaruar të gjitha funksionet dhe pasurinë familjare. Në AKK kanë thënë se ajo është njëra prej zyrtarëve që i pati rënë shorti që t’i kontrollohet pasuria më në detaje.
“Ju njoftojmë se zyrtari i lartë për të cilën keni adresuar kërkesën në Agjencinë kundër Korrupsionit, është pjesë e kontrollit të plotë të pasurisë. Në këtë fazë AKK nuk mund të ofrojë më shumë informata”, thuhet në përgjigjën e Agjencinë kundër Korrupsionit për lajmi.net.
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë – dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar funksionet e saj në Kosovë dhe vende tjera dhe ka gjetur se Donika Gërvalla-Schwarc nuk e ka bërë deklarimin e saktë në AKK.
Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” ka analizuar bazën ligjore dhe ka gjetur se deklarimi i pasurisë siç ka bërë ministrja e Jashtme dhe e Diasporës nuk është në përputhje me ligjin.
“Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar pasurinë dhe posedon të gjitha dokumentet se zëvendëskryeministrja ka një biznes tjetër në Gjermani dhe mban funksionin e drejtoreshës ekzekutive.
Ajo figuron se është drejtoreshë ekzekutive në “ALBLINGUA UG”, organizatë kjo që ofron shërbime në lidhje me gjuhën shqipe dhe shërbime tjera gjuhësore, si dhe zhvillimin e aftësive për zonën kombëtare dhe ndërkombëtare.