Lajme

Gërvalla në Gjermani, takon deputetin Kiesewetter: Diskutuam për anëtarësimin në BE dhe NATO

01/30/2024 22:16
nga:G B

Në kuadër të një vizite pune që sot ka nisur në Gjermani, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka takuar deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e CDU-së, Roderich Kiesewetter.

Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit të MPJD-së, thuhet se është diskutuar “rreth gjendjes së sigurisë në Kosovë pas 24 shtatorit të vitit të kaluar, masat e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE”.

“Me deputetin gjerman Kiesewetter, ministrja Gërvalla foli edhe për progresin e dukshëm në ekonomi, sundim të ligjit dhe forcim të demokracisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ministrja Gërvalla ka falënderuar deputetin gjerman, Roderich Kiesewetter, për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës.

Këtë vizitë pune e ministres Gërvalla në Berlin, ky dikaster e konsideron se është një mundësi e mirë e koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve dhe politikave me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme gjermane.