Në Forumin e sotëm të Dubrovnikut nga Kosova është duke marrë pjesë kryediplomatja Donika Gërvalla.
Ajo mori pjesë në një panel të drejtuar nga Sekretari i Shtetit të Kroacisë, Zdenko Luçiq dhe foli për sukseset e Kosovës në luftën për sundim të ligjit.
“Ministrja Gërvalla fillimisht e falënderoi Ministrin Gordan Grlić Radman dhe OECD-në për ftesën, duke theksuar se Kosova me popullsinë më të re në Evropë është shembulli më i mirë në rajon për luftën e suksesshme për sundimin e ligjit dhe besimin në drejtësi dhe qeverisje si bazë e domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe ulje graduale të numrit të atyre që perspektivën e shohin në emigrim”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Delegacioni i Kosovës, pjesë e të cilit janë edhe Zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti dhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, mori pjesë edhe në darkën e shtruar nga kryeministri i Kroacisë Plenkoviq për nder të Forumit dhe pjesëmarrësve të tij.


