Lajme

Gërvalla mungon në raportim, opozita e quan të papërgjegjshme

12/22/2021 12:17
nga:M K

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në moment të fundit e ka anuluar raportimin e planifikuar pranë Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit.

Gërvalla e ka bërë këtë me arsyetim se i ka dalë një udhëtim urgjent jashtë vendit, prandaj e kishte të pamundur ardhjen në raportim.

Ministres Gërvalla i del një udhëtim urgjent, s’raporton në Komision

Kryetarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e ka quajtur të papërgjegjshme Gërvallën për mospjesëmarrje.

“Kjo është papërgjegjësi e Gërvallës, papërgjegjësi e saj kushtetuese, sepse e dimë ekzekutivi i nënshtrohet kontrollit parlamentar”.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e ka quajtur të papërgjegjshme veprimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, për mospjesëmarrjen në Komisionin për Integrime Evropiane.

Ajo, në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që Gërvalla e shtyn datën për të raportuar.

“Komisioni për Integrime Evropiane e kishte një takim me ministren Gërvalla, jemi koordinuar për një takim ku ajo do të raportojë, pasi të vjen nga udhëtimi i saj nga Ëashingtoni. Ajo do të na informonte për Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, jemi në fund të vitit, sinqerisht kam pritur që ministrja do të vjen për raportim në këtë komision”.

“Ajo takimin e kishte shtyrë edhe më 13 dhjetor, do të thosha kjo është tentativa e saj e tretë që nuk raporton në këtë komision. Kjo është papërgjegjësi që të arsyetohet me një deklaratë se i doli një takim urgjent”, ka thënë Deliu.

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka theksuar se deklarata e Gërvallës nuk është arsyetim i qëndrueshëm.

“Komisioni kurrë nuk i ka ftuar ministrat në një datë të caktuar, e kemi lënë vet ministrja të zgjedh datën dhe orën. Ne ju kemi përshtat agjendës së saj. Nuk është arsyetim i qëndrueshëm, herave të tjera duhet të jenë të kujdesshëm paraprakisht t’i shikojnë agjendat e tyre individuale”,ka thënë Kadrijaj.

Deputetja e LVV-së, Arbrëreshë Kryeziu, ka thënë se arsyetimin e Gërvallës nuk duhet ta quajnë të papërgjegjshëm dhe se ajo duhet të kuptohet në këtë rast.

“Nuk duhet ta quajmë të papërgjegjshëm prej anës tonë si deputetë, është e rëndësishme që secili ministër t’i qojë përpara agjendat që i kanë në kuadër të punës që bëjnë në ministri”, ka thënë Kryeziu.