Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur në takim kryesuesin e OSBE-së, Ian Borg, ku përsëriti nevojën e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Gërvalla tha se Kosova në OSBE, do të forconte edhe më tepër rolin e organizatës në arritjen e objektivave të saj në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Gërvalla po ashtu shprehi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit në projekte të reja, të cilat si qëllim kanë demokratizimin, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Republika e Kosovës është shembull në rajon sa i përket demokratizimit, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe si faktor stabiliteti, andaj anëtarësimi i Kosovës në OSBE do të forconte edhe më tepër rolin e OSBE-së në arritjen e objektivave të saj në Ballkanin Perëndimor”, tha Gërvalla, thuhet në një komunikatë për medie të kësaj ministrie.
Më tej, thuhet se ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj edhe për situatën në veri të vendit, investimet e qeverisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, respektimin e të drejtave të serbëve lokal dhe veprimet destabilizuese të Serbisë, të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin.