Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar ambasadoren jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me të cilën kanë diskutuar për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, sfidat e sigurisë në rajon dhe rolin mbështetës të Kanadasë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
“Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë për Kosovën dhe përkushtimin për të thelluar marrëdhëniet ndërshtetërore përmes bashkëpunimeve të reja, jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në ekonomi, arsim dhe teknologji”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Sipas njoftimit, investimet strategjike dhe projektet e përbashkëta në sektorët ekonomik, kulturor dhe të sigurisë u vlerësuan si mundësi konkrete për të avancuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, me mërgatën tonë si një garanci për marrëdhënie të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë.