Lajme

Gentian Emini: Humbja në tavolinë ndaj Fushë Kosovës na ka penalizuar shumë, kemi aftësinë për t’i kaluar dy sfidat e barazhit

05/22/2023 20:02
nga:E K

Sezoni 2022/23 i Ligës së Parë të Kosovës ka përfunduar dhe ekipet kanë kuptuar fatin e tyre për edicionin e ardhshëm.

Fushë Kosova dhe Feronikeli 74 janë dy skuadrat që kanë siguruar promovimin në Superligën e Kosovës, ndërsa Ulpiana dhe Liria do të luftojnë në barazh për një mundësi për t’u promovuar në ligën elitare të Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.

Lojtari i Ulpianës, Gentian Emini ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ për të përshkruar sezonin e skuadrës së tij dhe për ndeshjet tejet të rëndësishme ndaj Lirisë.

“Si nga ana personale ashtu edhe ekipore jam i kënaqur me sezonin që kaluam. Ne detyrat brenda vijave të fushës i kemi përfunduar me sukses, por mendoj se na ka penalizuar shumë ajo humbja e lojës në tavolinë me Fushë Kosovën.

Për duelin me Lirinë jemi maksimalisht të motivuar dhe do japim gjithçka që ta fitojmë këtë ndeshje, jemi duke punuar shumë dhe besojmë shumë që do t’i arrijmë qëllimet tona.

Jemi një grup i lojtarëve që besojmë shumë tek njëri-tjetri, i dimë shumë mirë aftësitë tona dhe mendoj se kemi aftësinë dhe forcën t’i kalojmë të dyja sfidat e barazhit“, tha Emini për GazetaBlic Sport.