Showtime

Genc Prelvukaj: Vjosa Osmani ka të drejtë ta mbajë flamurin e Rugovës kudo privatisht, por assesi në Presidencë

04/07/2021 18:14
nga:V R

Artisti kosovar, Genc Prelvukaj, i cili ka shërbyer edhe si këshilltar politik në Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Bujqësisë, ka reaguar ndaj një fotografie të presidentes Vjosa Osmani, në të cilën shihet flamuri Dardan gjatë një takimi që shefja e shtetit ka pasur me ambasadorin amerikan në Presidencë.

Prelvukaj ka thënë se i pëlqen dizajni i flamurit Dardan, megjithatë thotë se meqenëse nuk është as flamur shtetëror e as etnik, përfaqëson vetëm bindje të ngushtë politike dhe si i tillë është gabim të mbahet në institucionin e presidencës.
.

Prelvukaj thotë se presidentja mund ta mbajë atë flamur privatisht, por në asnjë formë në Presidencë, meqë aty duhet të jetë adresa e unifikimit.

“Vjosa Osmani ka të drejtë ta mbajë kudo privatisht por asesi në Presidence, e cila duhet të jetë adresë unifikuese popullore”, shton artisti.

Ai thotë se flamuri kuq e zi mund të vendoset aty, meqë unifikon gjithë shqiptarët.

“Nëse ke vendosur që përkrah flamurit zyrtar të jetë edhe një tjetër atëherë duhet të jetë flamuri kuq e zi, që është pikë e përbashkët e shqiptarëve kudo që ndodhen. Një flamur që ka kuptim dhe rëndësi në botëkuptimin etnik”, thekson tutje Prelvukaj.

Ai në fund thotë se Vjosa Osmani votat i ka marrë duke qenë pjesë e Vetëvendosjes, derisa kujton se këta të fundit, përveç që nuk e njohin flamurin e Rugovës, kanë rezerva edhe ndaj atij shtetëror të Kosovës.

Në fund, Prelvukaj thotë se vendosja e flamurit Dardan është gabim.

“Përveç kësaj, duhet ditur që Presidentja votat i ka marre në kuadër të një subjekti politik që lëre që nuk e njeh flamurin e Rugovës por ka shumë rezervë edhe ndaj atij shtetëror.

Veprim i gabuar”, ka përfunduar ai.