Lajme

Gecaj: Situata në veri mbetet ende e tensionuar, ende veprojnë bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi dhe Radoiçiq

09/24/2024 23:25
nga:Sh R

Është bërë një vit pas sulmit terrorrist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, thotë se edhe një vit pas rastit të Banjskës, situata në veriun e vendit mbetet ende e tensionuar.

Gecaj në një prononcim për GazetaBlic, shton se në vend që të ndëshkohej Serbia, u ndëshkua Kosova për shkak të hapave të gabuar dhe të pakoordinuar me ndërkombëtarët për shtrirjen e sovranitetit në veri.

Ai tregon se në veri ende veprojnë bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi dhe Radoiçiq.

“Një vit pas rastit të Banjskës, situata në veriun e Kosovës ende mbetet e tensionuar. Edhe më tutje bandat kriminale ndonëse me një taktikë më ndryshe se në të kaluarën veprojnë në veri të dirigjuara nga Beogradi dhe Radoçiq me shokët e tij. Për fat të keq, në vend se të shfrytëzohej situata e favorshme politike për Kosovën pas rastit të Banjskës, ne vetëm se thelluam hendekun e mosmarrëveshjeve me miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-të. Si pasojë, në vend se të ndëshkohej Serbia, u ndëshkua Kosova për shkak të hapave të gabuar dhe të pakoordinuar me ndërkombëtarët për shtrirjen e sovranitetit në veri. Sovraniteti në rend të parë është çështje politike e jo e sigurisë, mirëpo hapat e gabuar politik për pasojë kanë përkeqësimin edhe të sigurisë në veriun e Kosovës. Duke pasur parasysh këto dhe të tjera të pathëna më lart, si dhe humbja e besimit të ndërkombëtarëve në raport me Qeverinë e Kosovës, EULEX dhe NATO u detyruan që të shtojnë praninë e tyre në veri dhe në njëfarë mënyre të kthejnë rezolutën 1244 në veriun e trazuar”, tha Gecaj.

Tutje, ai tregon se presioni i shtuar që kanë ndërkombëtarët ndaj Serbisë dhe Kosovës arrin që ta mbajë situatën në veri nën kontroll.

“Presioni i shtuar ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe Kosovës arrin të mbajë nën kontroll situatën e brishtë në veri falë pranisë ndërkombëtare të shtuar dhe Policisë së Kosovës për të cilën SHBA akuzon kryeministrin Kurti për instrumentalizim të saj”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Gecaj thekson se trysnia ndaj Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojë derisa të arrihet një marrëveshje politike mes të dyja shteteve.

“Ndërkombëtarët nuk është se kanë ndërmarrë sanksione të ashpra ndaj Serbisë mirëpo vetë vizita e drejtorit të CIA-s dhe Komandantit të NATO për Operacione, Beogradi është në funksion të trysnisë për të mos lejuar eskalimin e mëtejmë të situatës. Kjo trysni do të vazhdojë edhe më tej ndaj të dyja shteteve dhe deri në një marrëveshje politike në mes të Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët situata në veriun e Kosovës konsiderohet e tensioniar por e menaxhueshme”, përfundoi Gecaj për GazetaBlic.