Sporti

Bekim Shotani e Granit Begolli komentojnë dënimet e fundit të Komisionit Disiplinor

04/14/2021 18:57
nga:Mergim Rreci

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës i ka shqiptuar disa dënime ditën e djeshme. 

Në mesin e tyre dënime kanë pranur edhe disa figura të larta të klubeve nga Superliga e Kosovës në futboll.

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, si dhe trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, u dënuan me nga 500 euro për deklarimet e tyre në televizionet kosovare, përcjell GazetaBlic.

Ka pasur menjëherë reagime të mëdha në lidhje me këto vendime, ku disa nga to vlerësuan se po tentohet të zhduket zëri kritik ndaj Federatës.

Njohësi i futbollit kosovar, Granit Begolli tha se këto dënime nuk janë duhura dhe se janë vetëm sa për mbulesë.

“Unë mendoj që këto dënime me shuma parash nuk janë te duhura për shkak se derisa ata paguajnë rroga mujore në shuma shumë të mëdha, këto denime janë vetëm sa për të thënë që është denu dikush. Ne e kemi rastin ku presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi është dënu me 1 vit pezullim, ndërsa rastet e fundit janë dënu me shuma parash të cilat nuk paraqesin problem për “bossat” e klubeve” tha fillimisht Begolli për GazetaBlic Sport.

Më pas ai komentoi edhe vendimet e këtij Komisioni, si dhe u pyet edhe në lidhje me reagimin ndaj ofendimeve që erdhen nga presidenti i Ballkanit ndaj gjyqtarëve të ndeshjes.

“Se a po zbatohen për të gjithë ngjajshëm këto dënime nuk e di me siguri, sepse kjo varet se çka paraqitet nepër komisione, por me sa e di presidenti i Ballkanit nuk ka pasur më herët probleme te kësaj natyre, e nese është hera e parë atëherë është falur. Normalisht ka njerëz në stadiume që përsërisin gabimet e tyre, por nuk ndëshkohen dhe dikush që është më i zhurmshëm ndaj dukurive që ndodhin në futboll dënimet janë të menjëhershme” përfundoi Begolli.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Bekim Shotani, tha se duhet të ruhet gjuha e komunikimit, por poashtu se këto dënime nuk po bëhen në mënyrën e duhur.

“Mendoj se është shumë më e rëndësishme të ruhet gjuha e komunikimit, sepse po dikon në ecurinë e kampionatit. Trajnerët duhet të ruajnë gjuhën e komunikimit pasi po ndodhë që në disa raste ata po dalin jashtë kontekstit. Federata po i dënon për shkak të gjuhës së folur, por ata nuk duhet të dënohen më të holla. Dënimi duhet të bëhet në forma të tjera” tha fillimisht Shotani.

Më pas ai tha se nuk sheh asnjë komision në Federatë që e kryen punën e tij në mënyrë profesionale, madje ai tha se njerëzit brenda tyre janë të njëanshëm dhe aspak profesionistë.

“Sa i përket standardeve të dyfishta në dënime nuk është në rregull, sepse e përkeqëson situatën. Unë nuk shoh një komision në Federatë që e bën punën në mënyrë profesionale. Ata janë shumë të të njëanshëm dhe aspak profesionistë. Shoqata e trajnerëve është duke fjetur dhe nuk ka asnjë reagim për të mbrojtur trajnerët. Prandaj, një vërejtje edhe për shoqatën e trajnerëve e cila nuk ka guximin të dalë me komunikim dhe mbrojtje për trajnerin” përfundoi Shotani për GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic/