Showtime

Gazetarja Hannah Storm, zbulon se ka luftuar kancerin e gjirit

03/20/2024 12:11
nga:N K

Hannah Storm ka zbuluar se kohët e fundit ajo luftoi me kancerin e gjirit.

61-vjeçarja tha në “Good Morning America” se u diagnostikua në janar pasi bëri një mamografi vjetore në nëntor të vitit 2023.

“Nuk dëgjova asgjë në fillim dhe mendova se ishte pak e çuditshme”, kujtoj Hannah.

Por pasi ra në kontakt me vendin ku kishte bërë mamografinë, asaj iu tha se duhej të bënte një ekografi sepse kishte gjinj të dendur.

“U ktheva një javë më vonë për të bërë edhe një biopsi dhe telefonata erdhi më pak se 24 orë më vonë. Doktori tha: ‘jam shumë i befasuar, por ju keni kancer, forma më e hershme e kësaj sëmundje”, kujtoi ajo.

Hannah tha se ishte “tronditur” nga diagnoza pasi kishte shkuar rregullisht për mamografi.

“Nuk kisha asnjë faktor rreziku. Unë nuk kam kancer gjiri në familjen time. Unë nuk kam pasur një gungë. Nuk kam pasur dhimbje. Unë nuk kam ndonjë predispozitë gjenetike për kancerin e gjirit”, tha Hannah. “Dhe ajo që mësova është se shumica dërrmuese e grave që janë diagnostikuar me kancer gjiri, nuk kanë faktorë rreziku dhe kështu, më duhet të them, isha e shokuar, e frikësuar”.

Meqenëse kanceri i saj ishte në fazat e hershme, Hannah ishte në gjendje të bëntë një lumpektomi, e cila është një procedurë kirurgjikale që heq kancerin ose indet e tjera jonormale nga gjiri.

“Kirurgjia ishte e suksesshme. Isha në gjendje të kthehesha në punë, të mbuloja Super Bowl, që ishte një bekim i vërtetë”, tha Hannah, duke shtuar se për shkak të testeve të reja, ajo nuk duhej t’i nënshtrohej rrezatimit.