Gazetarja Behare Bajraktari ka denoncuar Arsim Halilin i cili është drejtor i RTK- Radio Kosovës për “terrorin” që thotë se është duke ia bërë, raporton GazetaBlic.
Bajraktari e cila punon që 19 vite në RTK përmes një njoftimi në rrjetet sociale thotë se Halili e ka kërcënuar në forma të ndryshme, kështu edhe duke ia ndalë emisionin.
Bajraktari ka publikuar një video, teksa sipër saj shkruan se pa asnjë paralajmërim, Halili ia ka marrë kompjuterin dhe gjërat e tjera personale e profesionale që i kishte ajo në zyre.
“Rrjedhimisht unë kam mbet pa emision në radio, pa emision në televizion, pa zyre, pa kompjuter dhe pa sendet e mia personale, edhe pse unë kam kontratë të përhershme me RTK”, shkruan tutje Halili.
Halili thotë se për këtë tash është në dijeni edhe Policia e Kosovës.
NJOFTIM/DENONCIM
Përmes këtij komunkimi publik dua të bëjë edhe një denoncim si dhe ta ndaj me ju terrorin që është duke ma bërë drejtori i RTK- Radio Kosovës Arsim Halili.
I cili gjatë muajit gusht më ka kërcënuar ” Ti e din çka jam në gjendje me bë”, pastaj me kërcënimin që do ta ndali emisionin dhe me datë 20 tetor 2023 e ndali emisionin tim përgjithmonë në Radio ku kam kontribuar me mbi 5 mijë emisione prej vitit 2005, pa përmendur qindra intervista, reportazhe, lajme, kronika etj.
Ndërsa sot pa autorizim, pa paralajmërim dhe pa asnjë vendim zyrtar dhe institucional me urdhër të tij ma kanë marrë nga zyra kompjuterin e punës, m’i kanë marrë të gjitha sendet e mia personale dhe profesionale të cilat i kam pas në tavolinen time të punës për rreth 19 vite, dhe i kanë marrë të gjitha sendet e mia personale, profesionale dhe private nga rafti i zyrës të cilat i posedoj prej vitit 2005.
Sendet e mia personale dhe profesionale i kanë marrë dhe nuk e di as ku m’i kanë lënë.
Rrjedhimisht unë kam mbet pa emision në radio, pa emision në televizion, pa zyre, pa kompjuter dhe pa sendet e mia personale, edhe pse unë kam kontratë të përhershme me RTK.
Që prej se punoj në RTK ky është një prej terroreve më të mëdha ndaj meje si gazetare, duke më kërcënuar dhe shantazhuar në këtë formë dhe formave të tjera.
Që prej pasluftës ku gazetarët ballafaqoheshin me masa të rënda, këto janë masat më të dhunshme ndaj gazetarëve dhe ndaj grave për t’ua mbyllur gojën.
Rastin e kam denoncuar në polici tashmë.


