Nik Domer, gazetari zviceran i CH Media ka folur në lidhje me ndeshjen e nesërme midis Zvicrës dhe Kosovës.
‘Helvetikët’ dhe ‘Dardanët’ përballen nesër në Basel nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, shkruan GazetaBlic Sport.
Domer thotë se ndeshjet mes Zvicrës e Kosovës janë gjithnjë të veçanta, teksa potencon se ‘Helvetikët’ janë favorit, të paktën në letër.
“Zvicra-Kosova është gjithmonë një rast i veçantë. Lojtarë të shumtë, nga të dyja palët, kanë një lidhje midis dy kombeve. Në fakt, do ta quaja ende një duel vëllazëror. Bazuar në renditjen botërore të FIFA-s – pra, në letër – Zvicra është favorite e qartë. Por mendoj se kjo nuk duhet të jetë një arsye për arrogancë. Kosova ka bërë përparim të madh në futboll dhe kohët e fundit ka barazuar tre herë kundër Zvicrës. Ato ishin duele pasionante. Besoj se trajneri Murat Yakin dhe ekipi i tij do ta hyjnë këtë ndeshje me shumë respekt”, tha fillimisht Domer për ‘GazetaBlic Sport’.
Së fundmi, Kosova ia rrëmbeu Leon Avdullahun kombëtares së Zvicrës, pasi super mesfushori i cili kaloi gjithë grupmoshat tek Zvicra, pranoi të përfaqësonte kombëtaren tonë dhe nesër pritet të debutojë. Sipas, Domer, Avdullahu do ketë karrierë të shkëlqyer.
“Në fakt, shumica e tifozëve të futbollit në Zvicër do të kishin dashur ta shihnin Leon Avdullahun në ekipin kombëtar zviceran. Ai ka treguar në FC Basel se ka potencial të madh. Dhe tani ai gjithashtu duket se po performon mirë në Bundesligë. Mendoj se djali do të ketë një karrierë të shkëlqyer. Dhe në të ardhmen, njerëzit në Zvicër shpesh do të jenë të mërzitur që nuk i treguan atij perspektiva më të mira për ekipin kombëtar zviceran më parë”, vazhdoi gazetari zviceran.
Domer vlerëson shumë Fisnik Asllanin, të cilin e konsideron si lojtar të shkëlqyer.
“E pashë Fisnik Asllanin te Elversberg sezonin e kaluar. Zhvillim i shkëlqyer si lojtar. Përpara portës, ai është një makineri golash. Ai bën gjithashtu diferencën me kontrollin e tij të topit”, përfundoi ai.
Kujtojmë se pas duelit të nesërm me Zvicrën, Kosova e mirëpret Suedinë të hënën e ardhshme në ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet.
/GazetaBlic Sport/


