Lajme

Gazetari shqiptar nga Pekini: Vala e virusit Delta ka sjellë alarm në Kinë

08/04/2021 19:29
nga:M K

Në vendin e origjinës së koronavirusit është shfaqur edhe një valë tjetër e virusit COVID-19, ajo e variantit më të rrezikshëm dhe lehtë të transmetueshëm, atij Delta.

Gazetari shqiptar që punon në Pekin, Edison Myrtezaj, në një intervistë për Info Magazine, tha se gjatë kësaj javë në territorin e Kinës janë shënuar 427 raste të reja.

Sipas tij, vala e mutacionit të virusit Delta ka alarmuar Kinën.

“Edhe vetë Pekini ka pasur raste të reja të koronavirusit. Kanë qenë disa persona të cilët kanë qenë duke udhëtuar nga zonat turistike, por edhe nga aeroporti ndërkombëtar i qytetit Nangjinun drejt Pekinit dhe vetëm sot një zonë është futur në karantinë. Pesë zona gjithsej janë futur në karantinë. Vala e mutacionit të virusit Delta thuajse ka sjellë alarmin në Kinë. Ka pasur shumë të infektuar, por megjithatë masat janë shumë të forta”.

Në Kinë çdo dy ditë rreth 2 milionë banorë testohen, ndërsa përkundër masave të rrepta vala e re e ka gjetur sistemin shëndetësor të papërgatitur.

“Nuk ka qenë diçka që pritej, pasi masat kanë qenë shumë të forta në Kinë edhe vala e papritur e ka gjetur të papërgatitur sistemin shëndetësor dhe atë kufitar në Kinë. Situata për momentin këtu është pak e frikshme – nuk është e rënduar, por është e frikshme sepse shumë qytete janë futur në karantinë”.

Sipas gazetarit korrespondent në Kinë, 80% e popullsisë kineze është vaksinuar ndërsa bartja e maskave mbetet obligative.

“Qeveria kineze prej një viti ka dhënë urdhër që maskat të jenë të obligueshme. Çdo kush duhet të mbajë maskë në ambientet ku ndodhet. Të paktën mjetet e transportit publik e kanë të detyruar vendosjen e maskës. Ndërsa sa i përket vaksinimit pothuajse 80% e banorëve janë vaksinuar. Pjesa më e madhe e ka marrë dozën e parë ose janë vaksinuar plotësisht”.

Tre persona edhe pse kanë qenë të vaksinuar janë infektuar përsëri me koronavirus me variantin Delta, por nuk ka pasur asnjë person në Kinë i cili është vaksinuar dhe ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit.