Një gazetar rus, i cili njihet si mbështetes dhe militant i regjimit në Moskë, i bëri thirrje presidentit Vladimir Putin “që të fshijë Britaninë e Madhe nga faqja e dheut me armë bërthamore për shkak të mbështetjes së saj “të vrazhdë” për Ukrainën.
Vladimir Solovyov, një gazetar i njohur rus, i cili konsiderohet si militant i Putinit, kërcënoi sot Britaninë, përderisa po fliste me kreun e Agjencisë Ruse të Hapësirës për raketën e re të fuqishme balistike ndërkontinentale,Sarmat RS-28 , të cilën Rusia planifikon ta përfshijë më së largu deri në vjeshtë në arsenalin e saj, përcjellë Gazeta Blic.
“Rezulton se një Sarmatian do të thotë minus një Britani e Madhe”, u mburr Solovyov, duke thënë se Britania e Madhe është bërë “jashtëzakonisht e vrazhdë”, duke iu referuar mbështetjes së hapur për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.
Kërcënimi i Solovyev vjen vetëm dy ditë pasi Putin deklaroi se Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) kishte parandaluar tentativën e gazetarit nga anëtarët e një “bande naziste”, të cilët kishin marrë urdhra nga Ukraina.
Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Ukrainës (SBU) mohoi të hënën se ka ekzistuar ndonjë plan për të vrarë gazetarin e regjimit Vladimir Solovyov, përcjellë GazetaBlic.
Sarmat, ose “Satani 2” siç e kanë pagëzuar këtë raketë shtetet perëndimore, mund të mbajë 10 ose më shumë koka bërthamore dhe joshje dhe mund të qellojë caqet në SHBA dhe Evropë.
Dmitry Rogozin, kreu i agjencisë hapësinore Roscosmos, tha se do të prodhohen 46 raketa të tilla, e para prej të cilave do të vendoset në gjysmën e dytë të vitit në Territorin Krasnoyarsk në Siberi, rreth 3000 kilometra në lindje të Moskës.
“Gjithçka po shkon sipas planit,” tha Rogozin.
Javën e kaluar, Putin mbikëqyri testin e parë të suksesshëm të raketë Sarmat.
“Kjo është një ngjarje e rëndësishme në zhvillimin e armëve të avancuara të ushtrisë ruse. Ajo është në gjendje të anashalojë të gjitha sistemet moderne të mbrojtjes raketore. Nuk ka të ngjashme në botë dhe nuk do të ketë për një kohë të gjatë,” tha Putin javën e kaluar.
Deklarata e Solovyov nuk është hera e parë që Rusia kërcënon me armë bërthamore që nga fillimi i operacionit ushtarak në Ukrainë, dhe as kërcënimi i parë për Britaninë e Madhe.
Të hënën, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov paralajmëroi se “NATO është në të vërtetë në luftë me Rusinë” dhe se kërcënimi i luftës bërthamore është “serioz dhe real”.
I pyetur për rëndësinë e shmangies së Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale është e krahasueshme me krizën e raketave në Kubë,në vitin 1962, Lavrov tha: “Rreziqet tani janë mjaftë të mëdha”.
“Unë nuk do të doja t’i rrisja artificialisht ato rreziqe. Shumë do ta donin këtë. Rreziku është serioz, real. Dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë”, tha Lavrov.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, kërcënoi më pas se do të sulmonte vendet anëtare të NATO-s që furnizojnë Ukrainën me armë, ndër të cilat Britania, e cila sipas saj, ka një rol udhëheqës.
“Rusia mund të shënjestrojë objektiva ushtarake në territorin e atyre vendeve anëtare të NATO-s që i dërgojnë armë regjimit në Kiev”, tha ajo.


