Sporti

Gazetari nga Qipro, Andreas Odysseos para ndeshjes me Kosovën: Realisht shpresojmë për barazim, por do jetë e vështirë

10/14/2024 13:10
nga:E K

Kosova synon fitoren e radhës në Nations League pas triumfit në udhëtim ndaj Lituanisë me rezultat 1-2.

Dardanët presin në Prishtinë Qipron me synimin e qartë për tre pikë të plota për të vazhduar shpresat për vendin e parë, shkruan GazetaBlic Sport.

Gazetari nga Qipro, Andreas Odysseos në një intervistë për GazetaBlic Sport vlerësoi lojtarët e Kosovës duke i cilësuar ata si lojtarë shumë të rrezikshëm duke veçuar, Edon Zhegrovën dhe Vedat Muriqin.

“Kosova ka lojtarë shumë të mirë, lojtari i parë që të bie ndërmend është padyshim Muriqi i cili ka shënuar 4 gola ndaj nesh edhe pse nuk është pjesë e këtij grumbullimi. Tjetër lojtar i rrezikshëm është Edon Zhegrova i cili poashtu ka shënuar ndaj nesh”, tha fillimisht ai.

I pyetur rreth rezultatit të këtij takimi, ai u shpreh se realisht presin një barazim ndaj Kosovës, por që edhe kjo do jetë e vështirë.

“Po shpresojmë më të mirën. Idealja do ishte fitorja, por të flasim realisht ne shpresojmë për barazim ndaj Kosovës, por do jetë shumë e vështirë”, shtoi ai.

Odysseos ka ndarë informata edhe rreth kampit të Qipros duke cilësuar se skuadra ka bërë ndryshime të mëdha dhe se kanë në dispozicion lojtarë që janë teknikisht të mirë.

“Qipro ka bërë ndryshime të mëdha në lidership dhe te trajneri. Sofronios Avgousti është një trajner vendas i cili mori drejtimin e kombëtares. Sipas federatës sonë ai është trajneri më i mirë nga Qipro. Situata aktuale nuk është e mirë siç mund ta shihni nga rezulatet, mposhtëm Lituaninë por nuk është e mjaftueshme. Kemi disa lojtarë të mirë, luajnë edhe jashtë vendit dhe nuk janë aq keq sa i shihni në Kombëtaren e Qipros”, përfundoi Andreas Odysseos për GazetaBlic Sport.