Sporti

Gazetari i njohur turk, Omer Çelikbasli me fjalë të mëdha për Rashicën: Një lojtar kyç tek Galatasaray, tifozët e duan shumë

04/26/2023 17:50
nga:Mergim Rreci

Milot Rashica po kalon në një formë fantastike në Superligën e Turqisë në futboll.

Sulmuesi kosovar ka realizuar 6 gola dhe 5 asistime në të gjitha garat me skuadrën e Galatasaray, duke qenë në vendin e parë me 6 pikë më shumë se Fenerbahce e vendit të dytë.

Forma fantastike që po kalon Rashica e ka ndihmuar shumë skuadrën turke, me tifozët që janë lidhur shumë me sulmuesin kosovar, madje duke kërkuar tek klubi që me çdo kusht të sigurojë shërbimet e tij të plota nga Norwich City.

Gazetari i njohur i sportit në Turqi, Omer Çelikbasli, tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Rashica është një lojtar kyç tek skuadra turke dhe se statistikat e tij janë në një nivel të mirë.

“Milot Rashica është një lojtar kyç dhe shumë i rëndësishëm. Performanca e tij në Galatasaray është vlerësuar shumë. Si kontributi i tij në lojë ashtu edhe statistikat e tij janë në një nivel të mirë. Sa më shumë që luan, aq më shumë mësohet me ekipin. Edhe fansat e pëlqejnë shumë dhe duan që ai të qëndrojë këtu”, tha fillimisht ai.

I pyetur se a do të qëndrojë Rashica tek Galatasary pas përfundimit të këtij edicioni, Çelikbasli ishte shumë optimist për një gjë të tillë.

“Milot Rashica është lojtar i rëndësishëm dhe sigurisht që do të vijnë oferta. Ai është i lumtur në Turqi. Familja e tij është e lumtur në Stamboll. Unë shoh një probabilitet të lartë për të qëndruar në Turqi. Nëse Norwich nuk dëshiron një çmim të lartë, Galatasaray do ta marrë atë. Sigurisht, gjërat mund të ndryshojnë gjatë afatit kalimtar”, përfundoi Çelikbasli.

/GazetaBlic Sport/