Leo Messi edhe zyrtarisht është larguar nga skuadra e Barcelonës.
Ishin rreth dy dekada historike për sulmuesin argjentinas dhe klubin spanjoll, atje ku së bashku fituan gjithçka që ishte për t’u fituar në nivel klubesh, shkruan GazetaBlic Sport.
Largimi i tij i tronditi tifozët e Barcelonës, por edhe mbarë komunitetin sportiv në të gjithë botën. Megjithatë, ky largim u përjetua rëndë edhe nga ata që ishin afër me punën e tyre ndaj tij.
Gazetari i afërt me klubin e Barcelonës si dhe me futbollistin Leo Messi, Alberto Perez, ka folur ekskluzivisht për GazetaBlic Sport në lidhje me këtë gjë.
Perez është jashtëzakonisht i dalluar në informacionin mbi La Ligan, por në përgjithësi edhe për gazetarinë sportive. Ai ka lidhje të ngushta me Barcelonën dhe Atletico Madridin, or punon edhe për disa media ndërkombëtare përveç atyre spanjolle, siç është “EuroSport”.
I pyetur në lidhje me largimin e befasueshëm të Messit nga Barcelona, ai tha se askush nuk e ka pritur në Spanjë deri atë ditë, aq më shumë jo tifozët.
“Kjo ishte një risi befasuese për të gjithë ne, në veçanti për tifozët e Barcelonës. Ata nuk e prisnin këtë fakt dhe janë plotësisht të zhgënjyer. Për ‘La Liga’ është e vështirë të gjesh një lojtar të ngjashëm, por në Spanjë ne besojmë në fuqinë e konkurrencës dhe në cilësinë e klubeve“, tha fillimisht Perez për GazetaBlic Sport.

Më pas i pyet se a kishte ndonjë mundësi që të gjendej një marrëveshje mes palëve, ku tha se ishte totalisht e pamundur në bazë të kushteve të dobëta financiare të cilat po mbreterojnë momentalisht në klubin nga Katalunia.
“Sipas mendimit tim ishte e pamundur që Barcelona dhe Messi të vazhdonin së bashku. Barca është në një situatë kritike në aspektin financiar. Ata duhej të shisinin lojtarë për të paguar kontratën e re të Messit, por lojtarët nuk duan të largohen nga Barcelona, sepse paga e tyre është e komplikuar për tu gjetur në një ekip tjetër” tha më pas gazetari dhe profesori i njohur i sportit në Spanjë, Alberto Perez.

Më pas ai u pyet edhe për të ardhmen e Messit, ku tha se sipas mendimit të tij dhe informatave që ka, sulmuesi argjentinas do të transferohet tek PSG.
“Përshtypja ime është se ai do të shkojë në PSG për shkak se skuadra franceze mund të paguajë pagën e tij dhe ai ka shumë miq atje, njëri prej tyre është Neymar”, përfundoi Perez.

/GazetaBlic Sport/


