Sporti

Gazetari i Marcas: Muriqi është një idhull tek Mallorca, kontribuoi shumë për të siguruar finalen në Kupën e Mbretit

02/28/2024 18:24
nga:Mergim Rreci

Mallorca e Vedat Muriqit është kthyer pas më shumë se 20 vitesh në një finale të Copa del Rey pasi ka mposhtur Real Sociedadin me penallti në gjysmëfinale.

Mallorca mundi Real Sociedadin me rezultat (5-4) në penallti të martën mbrëma për të kaluar në finalen 21 vjet pasi fitoi garën për herë të vetme.

Vedat Muriqi ishte i saktë nga penalltia, duke e nisur mbarë serinë e skuadrës së tij në stadiumin ‘Reale Arena’.

Gazetari i mirënjohur pranë kësaj skuadre, Juanmi Sanchez është deklaruar për ‘GazetaBlic Sport’ në lidhje me këtë sukses historik të Mallorcas, duke thënë se kishte një festë të madhe e të merituar.

Atmosfera që ekzistonte dje është ajo e ngjarjeve të mëdha. Kishin kaluar 15 vjet që nuk kishin luajtur në një gjysmëfinale dhe 21 që nuk kishim shkuar në finale. Në La Cartuja, më 6 prill ata do të luajnë finalen e tyre të katërt në histori të Copa del Rey. Ishulli i dedikohet skuadres, ishin 500 fansa në stadium, 3000 e panë në ekrane gjigante në stadiumin ‘Son Moix’… dhe me kalimin në finale shumë tifozë shpërthyen në festë në rrugët e qytetit“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai u pyet se cili do të ishte kundërshtari i preferuar në finale në mes Athletic Bilbao dhe Atletico Madrid, ku tha se dy skuadrat janë shumë të vështira.

Të dyja, Athletic dhe Atletico de Madrid janë shumë të vështira. Mallorca tashmë ka treguar se mund të mposhtë këdo, ndaj nuk ka një rival të preferuar. Kushdo që prek finalen do të duhet të vuajë për të mundur ekipin e Javier Aguirre”, vazhdoi tutje ai.

Krejt në fund, Sanchez tha se sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi është një idhull në Mallorca dhe se kontributi i tij ishte i madh në ndeshjen e mbrëmshme.

Muriqi është duke e pasur vështirësi në aspektin fizik pas lëndimit, është normale për shkak të kushteve fizike dhe përmasave. Kur hyri kundër Real Sociedad-it, ai kontribuoi shumë duke fituar topat në ajër. Ai është specialist i penalltive, pjesëmarrja e tij ishte kyçe. Ai është një idhull në ishull“, përfundoi Sanchez.

/GazetaBlic Sport/