Lajme

Gazetari gjerman për draftin e Asociacionit në Kushtetuese: Lëvizje e jashtëzakonshme për KiE

05/16/2024 11:04
nga:G B

Gazetari gjerman i “Frankurter Algemeine Zeitung”, Michael Martens e ka konsideruar si lëvizje të jashtëzakonshme të minutës së fundit në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës zotimin e Qeverisë se do ta dërgojë draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“Vini re se Friedrich Ebert Stiftung është themeli i SPD-së (Partia Social Demokrate) dhe kështu pranë kancelarit Scholz dhe njerëzve të tij, disa prej të cilëve deri më tani hezitonin për këtë çështje. Por nëse fondacioni juaj prodhon ide të mira…”, shkroi ai në platformën X.

Ky draft pritet të dorëzohet në Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Ishte miinistrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, e cila bëri me dije se i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tiny Kox.

Gërvalla tha se letra përmban zotimin që Qeveria e Kosovës do ta dërgojë draftin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte.”, tha ajo.