Sporti

Gazetari belg: Atmosfera nuk do të jetë problem për Antwerp, por fusha – pres fitore ndaj Dritës

07/28/2022 17:50
nga:L J

Skuadra e Dritës do të luajë sonte në ndeshjen e kthimit të fazës së dytë të kualifikimeve për Conference League kundër Antwerpen nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Ndeshja e parë në Belgjikë përfundoi pa gola dhe shpresat tashmë janë të barabarta për kualifikim.

Gazetari sportiv i mediumit belg, HLN, Kristof de Cnodder ka theksuar se klubi i Antwerpen mbetet favorit në këtë sfidë.

“Nëse Drita mbrohet si në ndeshjen e parë, sigurisht që nuk do të jetë një shëtitje në park për Antwerp. Megjithatë Antwerp është ende favorit i madh. Nëse ata mund të shënojnë në fillim të lojës, detyrat do të bëhen pak më të lehta”, tha fillimisht Kristof de Cnodder për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas Cnodder, atmosfera që do të krijohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” nga tifozët e Dritës nuk do të ndikojë tek ekipi belg, pasi lojtarët kanë shumë eksperiencë me gjëra të tilla edhe në të kaluarën.

“Mendoj se atmosfera nuk do të jetë një problem i madh për Antwerpen, pasi ata kanë shumë lojtarë me përvojë që janë mësuar me situata të tilla”, vazhdoi ai.

Ai pretendon se gjendja e fushës nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm.

“Gjendja e fushës është një shqetësim më i madh. Dje në stërvitje bari nuk dukej shumë mirë. Në fund mendoj se Antwerp do të fitojë. Nëse jo, do të jetë një krizë e vogël në fillim të sezonit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport