Sporti

Gazetarët e sportit parashikojnë fituesin e “Topit të Artë”: “Messi e fiton, por Haaland e meriton”

10/30/2023 13:02
nga:E K

Topi i Artë padyshim është çmimi më prestigjioz individual i futbollit botëror.

Ky çmim është dominuar prej vitesh nga dy emra që konsiderohen si më të mirët e të gjitha kohërave: Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo që mes tyre e kanë fituar gjithsej 12 herë, shkruan GazetaBlic Sport.

Lionel Messi i cili njëherëshit është edhe rekordmen i këtij çmimi me 7 “Topa të Artë” të fituar në karrierën e tij, është lakuar edhe këtë vit si një nga favoritët kryesor në këtë garë.

Kandidatët e tjerë të fuqishëm krahas argjentinasit janë edhe Erling Haaland dhe Kylian Mbappe të cilët mund të fitojnë sot për herë të parë në karrierën e tyre “Topin e Artë”.

Gazetarët kosovarë kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me fituesin e këtij çmimi.

Artijon Aliu dhe Olt Arifi nga televizioni “Tëvë 1” besojnë se Lionel Messi do jetë në fund fituesi i këtij çmimi.

“Besoj se Topin e Artë për këtë vit e fiton Leo Messi. Çdoherë kur ka europian, e sidomos botëror ndikon shumë në këtë çmim. Nuk më prishet aspak qefi nëse e fiton Messi, por besoj se më meritori këtë sezon ka qenë Erling Haaland. E pamë të gjithë se çka bëri sezonin e kaluar”, tha Artijon Aliu.

 

Artijon Aliu, gazetar "Tëvë1"
Artijon Aliu, gazetar “Tëvë1”

“Topin e Artë e fiton Messi, por mendoj se e meriton Haaland” deklaroi shkurtimisht Olt Arifi.

Olt Arifi, gazetar "Tëvë1"
Olt Arifi, gazetar “Tëvë1”

 

Njësoj deklaron edhe Blerian Dushica gazetar sportiv në “Kanal 10” i cili deklaroi për “GazetaBlic Sport” se beson që fituesi i këtij çmimi do jetë, Lionel Messi por sipas tij e meriton, Erling Haaland.

Blerian Dushica, gazetar "Kanal10"
Blerian Dushica, gazetar “Kanal10”

“Topin e Artë e fiton Messi në mënyrë të pamerituar. Për këtë vit e meriton Haaland, duke qenë një nga faktorët kyç për Manchester Cityn në fitimin e tripletes”, tha Dushica.

Në dallim prej kolegëve të tij, Romak Zeqiri nga Telegrafi deklaron se Lionel Messi do ta fitojë me plotë meritë edhe këtë vit “Topin e Artë”.

“Sigurisht që Topi i Artë do t’i takoj Lionel Messit i cili sipas mendimit tim është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Triumfi në Kupën e Botës ka bërë që Messi ta fitoj këtë trofe i cili duhet t’i ndërrohet emri nga ‘Topi i Artë’ në ‘Topi i Messit’ për krejt çfarë ka dhënë gjeniu argjentinas për futbollin. Erling Haaland gjithashtu ka pasur një vit të shkëlqyer me gola, asistime e trofe, por ai do ta fitoj ndonjë vit tjetër pasi në konkurrencë me Messin është shumë e vështirë. Mëkati më i madh për Haaland është që po luan në epokën e Messit.

Zeqiri, gazetar "Telegrafi"
Zeqiri, gazetar “Telegrafi”

Edhe Art Arifi nga “KosovaPress” ndanë të njëjtin mendim me kolegët e tij duke deklaruar se Messi do të fitojë këtë vit “Topin e Artë”.

“Mendoj që Topin e Arte e fiton sonte Messi, kurse me meritë me plotë bindje e them se e meriton Haaland”, tha Art Arifi.

Kujtojmë që Lionel Messi arriti të fitojë Kupën e Botës me Argjentinën duke e mposhtur në finale Francën e Kylian Mbappes i cili shënoi hetrik në atë finale, kurse Erling Haaland ishte protagonisti kryesor që Manchester City fitoi tripletën edicionin që e lamë pas.

Ceremonia e “Topit të Artë” fillon nga ora 19:00 me orën lokale.

/GazetaBlic Sport/