Sporti

Gazetarët e sportit me mendime të ndryshme se kush e meriton Topin e Artë – Vinicius Junior dhe Rodri cilësohen si favoritë

10/28/2024 14:10
nga:E K

Topi i Artë padyshim është çmimi më prestigjioz individual i futbollit botëror.

Ky çmim është dominuar prej vitesh nga dy emra që konsiderohen si më të mirët e të gjitha kohërave: Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo që mes tyre e kanë fituar gjithsej 13 herë, shkruan GazetaBlic Sport.

Lionel Messi njëherëshit është edhe rekordmen i këtij çmimi me 8 “Topa të Artë” të fituar në karrierën e tij, kurse këtë vit për herë të parë pas shumë vitesh nuk do jetë as Lionel Messi e as Cristiano Ronaldo.

Kandidatë të fuqishëm për “Topin e Artë” këtë vit janë, Vinicius, Rodri, Bellingham, Mbappe, Kroos, Carvajal e Haaland.

Gazetarët e sportit kanë opinione të ndryshme se kush e meriton “Topin e Artë” këtë vit.

Granit Tërstena nga IndeksOnline beson se Rodri duhet të jetë fitues i këtij çmimi në këtë vit.

“Unë mendoj që Rodri e meriton “Topin e Artë” me atë çfarë ka bërë me Manchester Cityn dhe Kombëtaren e Spanjës. Mesfushori është truri i një skuadre. Këtë mund ta shohim edhe tani te ekipi anglez. Pas lëndimit të tij, Pep Guardiola dhe skuadra e tij mezi po fitojnë në Premier League. “Tashmë dihet që Vinicius Jr do jetë fituesi, por nëse vërtetë duhet ta zgjedhim një lojtar të Real Madridit, atëherë para brazilianit kisha thënë Dani Carvajalin. “Vëmendja ime më e madhe sonte është me pa se në cilin vend do jetë i rënditur mesfushori ynë shqiptar, Granit Xhaka. Shpresoj që sa më lartë”, tha Granit Tërstena nga IndeksOnline.

Për dallim nga ai, Blerian Dushica dhe Florjan Karaqi nga GazetaExpress respektivisht Kanal 10 besojnë se Vinicius Junior duhet ta fitojë Topin e Artë.

“Topin e Artë” për këtë sezon mendoj se e fiton Vinicius Junior, mbi bazën e performancave të tij, duke qenë vendimtar për Real Madridin, sidomos në Ligën e Kampionëve. 26 gola dhe 13 asiste janë mbi nivelin e konkurruesve të tij. Edhe trofetë e rendisin mbi të tjerët. Do të jetë një “Top i Artë” mjaftë i merituar”, tha Blerian Dushica nga GazetaExpress.

“Pas një edicioni fantastik që e ka pasur me Real Madridin, mendoj se Vinicius Junior do të jetë me plot meritë fituesi i Topit të Artë. Statistikat e tij janë impresionuese dhe ai ka qenë lojtari që e ka bërë dallimin në ndeshjet më të rëndësishme të madrilienëve edicionin e kaluar. Edhe pse nuk kishte suksese me Brazilin në Copa America, sulmuesi 24-vjeçari ka qenë lojtari më i mirë i edicionit 2023/24. Pas tij, mendoj se në ranglistë vijnë Rodri dhe Jude Bellingham”, tha Florjan Karaqi nga Kanal 10.

/GazetaBlic Sport/