Lajme

Gati shtatë orë takimi i djeshëm në Bruksel: Çfarë deklaruan Lajçaku, Bislimi e Petkoviqi?

07/03/2024 10:03
nga:G C

Gati shtatë orë kanë zgjatur takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë takuar me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak. Çka u bisedua në këto takime?

Të martën, kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi është takuar në Bruksel me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Fillimisht pati takime dypalëshe, pra Lajçaku takoi ndaras Bislimin dhe Petkoviqin për të pasuar me një takim trepalësh.

Menjëherë pas përfundimit të takimi shkroi emisari Lajçak, që tha se kanë diskutuar një mori çështjes dhe kanë rënë dakord për një sërë hapash vijues.

“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me Besnik Bislmin dhe Petar Petkoviqin. Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh dhe ramë dakord për një sërë hapash vijues.” – ka shkruar Lajçak në X.

Në anë tjetër, Bislimi nuk përmendi se është pajtuar për ndonjë gjë në këto takime, duke thënë se pala serbe kishte interesim vetëm për Asociacionin.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit.” – ka thënë Bislimi para gazetarëve.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës lëshoi një njoftim për këtë takim, duke thënë se Serbia ka refuzuar të pranojë Marrëveshjen Bazike.

“Në takimet e sotme në nivel të kryenegociatorëve, ku delegacioni i Kosovës kryesohej nga Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u diskutua mbi formalizimin e Marrëveshjes Bazike, si element kryesor dhe i parë për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes, bashkë me aneksin e Ohrit, mbi Planin e Sekuencimit, zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, rreth mungesës së përparimit në zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur me dhunë, si dhe zbatimin e një numri marrëveshjesh të tjera, përfshirë IBM, si dhe atë për vizitat e zyrtarëve.”

“Nga diskutimet, sidomos në dy pikat e para, u ekspozua sërish fakti tashmë i konfirmuar disa herë dhe publikisht që Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesë të saj.” – thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Më tej, Qeveria bërë të ditur se gjatë diskutimit për personat e zhdukur, Serbia edhe njëherë ka ekspozuar se po e saboton procesin duke pasur kërkesa të reja.

“Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit.” – thuhet në njoftim.

Gjithashtu, u paralajmëruan edhe takime të tjera, duke shtuar se “vazhdimi i procesit mbetet tek përpjekja për të gjetur rrugën përpara në arritjen e dakordimit rreth formalizimit dhe planit të sekuencimit për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike”.

Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisëm Petear Petkoviq, i cilësoi takimet si “të vështira.

“Dialogu është vendi i vetëm për zgjidhje kompromisi, ndryshe nga java e kaluar kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i gatshëm për bisedime, ndërsa Kurti refuzoi të bisedonte.” – ka thënë Petkoviq para gazetarëve.

Tutje ai ka thënë se në këtë takim ka ngulur këmbë në themelimin e Asociacionit.

Kujtojmë se më 26 qershor ishte tentuar të mbahet një takim me Kurtit dhe Vuçiqit, mirëpo ky takim nuk u mbajtë për shkak të tri kushteve që vendosi Kurti.

Nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës.