Lajme

Gastronomët i pranojnë masat e reja, por kanë një varg kërkesash për ministrin Murati

08/27/2021 19:35
nga:M K

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës do të pranojë çdo vendim që do të marrin institucionet sa i përket masave të reja për parandalimin e pandemisë.

Veton Zuka, nga kjo shoqatë edhe pse thotë se paralajmërimi për shkurtim të orarit të punës do të shkaktojë humbje për këtë sektor do të respektojnë vendimet e marra.

Ai tha se për këtë çështje edhe kanë pasur një mbledhje urgjente.

“U diskutua për vendimet e fundit të Qeverisë, normal që kundërshtohen mirëpo tu e marrë parasysh gjendjen momentale që është nëpër spitale atëherë na mbetet të jemi kurban i vendimeve të Qeverisë, si të kaluarës edhe tash, dhe si kronologji që kemi qenë.

Krejt çka është diskutuar është mënyrat e ndihmës që shteti mundet me bë për neve, në mënyrë që me mbijetuar ne pasi që veç po dihen masat që kanë me qenë”.

Por Zuka thotë se nuk do të pranojnë hyrjen në fuqi të tyre pa u takuar dhe marrë vesh me ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati për të cilin kanë një varg kërkesash.

“Ne jemi minus në orar të punës, minus në përgjithësi në funksionim të bizneseve kështu që kërkesat specifikisht kanë me qenë në anën financiare, nga ministria e Financave. Me i shikuar modalitetet e subvencionimit, d.m.th munden me qenë pakot fiskale që mundem me qenë të liruar, ose amnisti nga dënimet, TVSh-ja prej 8 për qind të vazhdohet në 5 vjetet e ardhshme, subvencionim në paga të punëtorëve, të qirave e kështu më radhë. Kërkesat kanë me u specifiku gjatë ditëve mirëpo kanë me qenë specifiksiht për ministrinë e Financave, pasi që nuk opsion tjetër”, tha ai për EkonomiaOnline.

“Kjo sigurisht është për hatër të gjendjes në spitale, sakrificën që po e bëjnë edhe personeli shëndetësor, pacientët që po vuajnë aty, kështu që krejt çka na mbetet është Pako Financiare dhe së paku të implementohen edhe ato që kanë qenë, sepse ne kemi tash një mangësi tjetër që kemi parë pasi diku 35 për qind të bizneseve nuk e kanë marri marrjen e subvencionimeve të kaluara prek Pakos së Rimëkëmbjes”.

“Në bazë të takimit të fundit me ministrin e Shëndetësisë, jemi pak skeptik në atë drejtim por po shpresojmë pasi që ne po tregojmë një gatishmëri për ndihmës dhe bashkëpunim me Qeverinë, mendojmë që është e rrugës dhe obligative me i ndihmuar bizneset”.

Sipas raportimeve këto pritet që të jenë masat e reja:

“Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30;

Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës;

Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;

Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura;

Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona dhe Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit”.

Qeveria e Kosovës më 12 gushte ka miratuar vendimin për masat e reja kufizuese kundër COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi më 20 gusht.

Masat e reja – rikthehet ora policore, shtohen inspektorët, shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor