Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, ka deklaruar se ka refuzuar Juventusin për të marrë drejtimin e skuadrës verdhekuqe, pasi e ka parë projektin në Romë si një sfidë më të madhe.
Në prag të ndeshjes Juventus–Roma, e cila pritet të jetë vendimtare për sezonin e të dy ekipeve, Gasperini ka folur në konferencë për shtyp, duke konfirmuar interesimin e “Zonjës së Vjetër” për shërbimet e tij gjatë verës.
“Sfida këtu ishte më e vështirë. Jam i kënaqur me mënyrën se si kanë shkuar gjërat. Juventusi mbetet një ekip i shkëlqyer, i fortë dhe gjithmonë ka mundësi të bëhet edhe më i fortë”, është shprehur Gasperini.
Roma aktualisht ka katër pikë më shumë se Juventusi. Gasperini ka vlerësuar paraqitjet e skuadrës së tij, duke theksuar përmirësimin e vazhdueshëm.
“Luajtëm mirë. Nuk e di nëse jemi skuadra më e fortë, por lojtarët kanë qenë të shkëlqyer në pothuajse çdo ndeshje, edhe në ato që nuk i fituam. Skuadra është përmirësuar në aspektin teknik dhe të cilësisë dhe së fundmi po shënon rregullisht”, ka përfunduar trajneri i Romës.


