Lajme

Gashi: Zgjedhjet në veri do të dështojnë

12/09/2022 00:09
nga:Astrit Gashi

Ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Milazim Gashi, tha se zgjedhjet e 18 dhjetorit në veri do të dështojnë.

Gashi tha në Edicionin Special në Klan Kosova se javën tjetër pritet të kemi ndërhyrjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Këto zgjedhje do të dështojnë deri në një pikë të ndërhyrjes speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila po planifikohet që të bëhet javën e ardhshme, për shkak se kryeministrin Kurti do ta qesë me një hendikep”, tha Gashi.

Ai theksoi se veprimet jo të duhura të Qeverisë Kurti kanë bërë që Lista Serbe të ketë përkrahje 100 për qind në veri.

“Qasja edhe të themi në njëfarë mënyre strategjia jo e mirë e Qeverisë Kurti dhe veprimet e pamenduara e kanë bërë që Lista Serbe ta ketë 100 për qind të përkrahjes në veri. Nuk e ka pasur për shkak që i kemi parë edhe veprimet e tjera, edhe ish-kryetarët e partive të tjera dhe kryetarët e disa iniciativave faktikisht nuk e kanë atë reputacionin modern që ata të kandidojnë për zgjedhjet që po i planifikon Qeveri e Kosovës”.

Të martën, zyrtarët komunalë zgjedhorë në Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut e patën të pamundur daljen në punë për të nisur përgatitjet për zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Kjo pasi atje pati shpërthime si shkak i përdorimit të shok bombave dhe granatave të dorës.

E gjithashtu pati edhe përdorim të armëve të zjarrit.