Lajme

Gashi: Të tejkalohen kauzat politike në kurriz të jetës së qytetarëve, kjo është lufta e të gjithëve dhe që të gjithë i duhemi njëri-tjetrit

08/22/2021 15:43
nga:Q R

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka ngushëlluar familjarët të cilët humbën më të dashurit e tyre nga virusi korona, shkruan GazetaBlic.

Gashi në ‘facebook’, ka apeluar që të tejkalohen kauzat politike në kurriz të jetës së qytetarëve, duke thënë se në këto situata duhet të bëhen të gjithë bashkë.

Gashi i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për vaksinim.

Postimi i plotë:

I duhemi njëri – tjetrit
Kjo javë nuk mund të harrohet. Mund të quhet java e rekordeve të zeza, ndaj dhe nuk mund të harrohet. Rekordi i zi kalonte njëri – tjetrin pandalshëm e frikshëm, nga dita në ditë, përgjatë tërë javës. Epilog i zi dhe shumë i keq për të gjithë e pa përjashtim. Bilanci i kësaj jave: 13.062 raste të reja me Covid-19 dhe 42 vdekje.
Bashkëndjej me familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre nga ky armik i padukshëm, me ç’rast u shpreh edhe ngushëllimet më të sinqerta. Bashkëndjej me të infektuarit dhe uroj e lutem për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Po ashtu, dua të shpreh respektin maksimal për mantelbardhët, puna e të cilëve padyshim që është heroike. Apeloj që të tejkalohen kauzat politike në kurriz të jetës së qytetarëve, duke u bërë bashkë, njëmend bashkë, ngase pavarësisht dallimeve kjo është lufta e të gjithëve dhe që të gjithë i duhemi njëri – tjetrit,- të gjallë e të shëndetshëm.
Vaksinimi dhe respektimi i masave kundër Covid-19 janë armët tona. T’i përdorim ato, sepse kështu shpëtojmë veten, familjet tona si dhe shoqërinë tonë.

Ish këshilltari i Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi, për taksën 5 euro: Dorëheqja, shkarkimi nuk mjafton