Lajme

Gashi propozon disa ide për Byronë Shtetërore: Jo ndërhyrjeve politike, byroja nuk duhet krijuar si super institucion

07/14/2022 20:44
nga:Genita C

Arben Gashi i LDK-së ka komentuar votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gashi thotë se ky propozim ishte bërë nga LDK-ja ku sipas tij dëshmon mbështetjen e kësaj partite për themelimin e Byrosë Shtetërore të Hetimit.

“Ideja e shfaqur nga unë për themelimin e këtij institucioni ka dalë si rezultat i një sistemi ku: Agjencia Kundër Korrupsionit, Prokuroria në të gjitha nivelet e saj, Inteligjenca Financiare, Task Forca Speciale dhe Policia, merren me të njëjtën gjë – korrupsionin dhe elementet e tij.
Shumësia e institucioneve që merren me korrupsionin ka bërë të mundur që jo rrallë herë, për të njëjtin rast, me apo pa qëllim, institucioni përkatës ia ka marrë apo i ka ndërhyrë tjetrit duke e ngatërruar rastin, ku krejt në fund ka ndikuar negativisht në efikasitet dhe rezultat”, shkruan Gashi.

Sipas Gashit, Byroja Shtetërore e Hetimit nuk duhet krijuar si super institucion mbi institucionet shtetërore dhe ligjore, por një organ kolegjial koordinues.

POSTIMI I PLOTË:

Po, Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; jo ndërhyrjeve politike, jo veprimeve kundërkushtetuese dhe jo mospërfilljeve të opinioneve të Komisionit të Venecias.

Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duhet të themelohet në përputhje me opinionet e Komisionit të Venecias, sepse na duhet ndërtimi i një sistemi që nuk ndikohet nga urdhrat politik e nga cilado qeveri kurdoherë.

Fillimisht duhet kujtuar se propozimi i parë për themelimin e Byrosë Shtetërore të Hetimit është propozim i LDK-së, gjë që dëshmon seriozitetin dhe mbështetjen tonë për një agjenci të tillë.
Ideja e shfaqur nga unë për themelimin e këtij institucioni ka dalë si rezultat i një sistemi ku: Agjencia Kundër Korrupsionit, Prokuroria në të gjitha nivelet e saj, Inteligjenca Financiare, Task Forca Speciale dhe Policia, merren me të njëjtën gjë – korrupsionin dhe elementet e tij.

Shumësia e institucioneve që merren me korrupsionin ka bërë të mundur që jo rrallë herë, për të njëjtin rast, me apo pa qëllim, institucioni përkatës ia ka marrë apo i ka ndërhyrë tjetrit duke e ngatërruar rastin, ku krejt në fund ka ndikuar negativisht në efikasitet dhe rezultat.

Ndaj dhe atëherë është menduar se si duhet ndërtuar një sistem efikas, si Byroja Shtetërore e Hetimit, mirëpo jo duke e krijuar atë si super institucion mbi institucionet shtetërore dhe ligjore, por një organ kolegjial koordinues, me ç’rast secili prej institucioneve do ta kishte përfaqësuesin e saj brenda. Pra, duke e ndërtuar një sistem të organizuar, pa e përfshirë Gjykatën si institucion të pavarur, e cila duhet të gjykoj veprimet ose mosveprimet e ekzekutivit.

Vendit tonë i duhet një sistem që garanton barazi e drejtësi, ku pamundëson ndërhyrjet dhe ndikimin e urdhrave politikë. Nuk na duhet një propozim që bie ndesh me opinionet e Komisionit të Venecias dhe është kundërkushtetues.

Mendoj që duhet të ketë sa më pak politik e sa më shumë profesionalizëm dhe ide që kanë të bëjnë me efikasitetin e Byrosë.