Ibrahim Gashi, thotë se përfshirja e Fatmir Limajt në listën zgjedhore të PDK-së do të përbëntë një vendim stratëgjikë me vlerë të shumëfishtë politike dhe elektorale, raporton GazetaBlic.
Gashi thotë se Limaj mbetet një nga figurat më të konsoliduara të brezit të luftës.
Ai thekson se integrimi i tij në listën e PDK-së do të rriste dukshëm potencialin mobilizues të partisë dhe do të forconte imazhin e PDK-së si nëj subjekt që bashkon figura me përvojë të provuar në luftë, shtetndërtim dhe qeverisje.
Postimi i plotë:
Pse PDK duhet ta përfshijë Fatmir Limajn në listën e saj
Përfshirja e Fatmir Limajt në listën zgjedhore të PDK-së do të përbënte një vendim strategjik me vlerë të shumëfishtë politike dhe elektorale. Limaj mbetet një nga figurat më konsoliduara të brezit të luftës, me një kontribut të pamohueshëm si luftëtar dhe komandant, rol që i ka garantuar respekt të gjerë shoqëror dhe kredibilitet të qëndrueshëm publik. Në periudhën e paqes ai ka dëshmuar kapacitete të larta institucionale, duke shërbyer si nënkryetar i PDK-së, si ministër i suksesshëm dhe si deputet në disa legjislatura, si dhe si kryetar i një subjekti politik më vete.
Limaj sot përfaqëson një aset elektoral real, me ndikim të drejtpërdrejtë mbi një kontingjent prej rreth 20–30 mijë votash. Integrimi i tij në listën e PDK-së do të rriste dukshëm potencialin mobilizues të partisë, do të zgjeronte spektrin e mbështetjes në zona kyçe dhe do të forconte imazhin e PDK-së si një subjekt që bashkon figura me përvojë të provuar në luftë, shtetndërtim dhe qeverisje. Në këtë kontekst, afrimi i Limajt nuk është vetëm çështje simbolike, por një investim i qartë në fuqizimin e kapacitetit konkurues të PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.


