Lajme

Gashi: Për Kurtin pushtetar, po e paguan faturën çdo qytetar i Kosovës

01/18/2024 13:01
nga:G C

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi ka thënë se për Albin Kurtin pushtetar po e paguan faturën çdo qytetar i Kosovës.

Gashi ka përmendur deklaratat e Kurtit ndër vite rreth energjisë elektrike, në kohën sa ai ishte opozitë dhe tash në kohën kur Kurti është në pushtet.

“Meqenëse përfaqësuesit e pushteti po kanë qejf me u marr me histori po flasim për Albin Kurtin si opozitar dhe Albin Kurtin në pushtet. Lëviza Vetëvendosje kishin thirrur një protestë për ta kundërshtuar çmimin e lartë të energjisë elektrike, kurse sot është trefishi i asaj që ka qenë”, tha ai.

Gashi ka kujtuar vitin 2015 kur Vetëvendosje ka protestuar për ta kundërshtuar çmimin e lartë të energjisë.

“Sot me Kurtin në pushtet rryma është dyfish më e lartë se atëherë” ka thënë Gashi, i cili ka vazhduar me vitin 2019 duke përmendur poashtu një tjetër deklaratë të Kurtit për temën e njëjtë, energjinë elektrike.

“Ne do ta synojmë uljen e energjisë, sepse tepër shtrenjtë është kur ne qëndrojmë mbi energji elektrike”, ka thënë Gashi sipas të cilit fjalët e Kurtit ndryshuan pasi erdhi në pushtet.

“Rryma ka qenë shumë lirë. Qytetarët nuk e kanë ditur sa po paguajnë”

Sipas Gashit kur kryeministri rriti çmimin e energjisë, doli edhe me sugjerime për qytetarët.

“Në dhjetor 2021 Kurti del me sugjerim dhe iu propozon qytetarëve që të ngrohen me batanije, më vonë na del në skenë skandali Berisha, ambasadori tregtar i cili me kompani serbe tërheq 1.4 milionë euro kesh dhe prokuroria kurrë nuk e thirri ta pyeste se ku shkuan ato para” .