Lajme

Gashi për gjuhën e Kurtit e të Gërvallës: Çka mbjell, korr

01/27/2025 21:50
nga:G B

Analisti Dardan Gashi ka komentuar postimin e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti pas tubimeve elektorale të tij në Skenderaj dhe Drenas ku ndër të tjera ka thënë se ‘’…Drenica është zemra e Kosovës. Më 9 shkurt bëhen bashkë 500 mijë zemra për Republikën, për Kosovën. Rroftë familja Jashari!..’’

Gashi me ironi ka thënë se pikërisht njëri ndër të arrestuarit që kundërshtonte Kurtin sot në Skenderaj ishte pikërisht nga familja Jashari.

‘’Një prej të arrestuemëve pikërisht prej familjes Jashari. Kjo është demagogjia e zotit Kurti’’, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pengimi i tubimeve elektorale nuk duhet të jenë pamje që duhet të përcjellin zgjedhjet.

‘’Mirëpo, nuk duhet me u habit shumë nëse kjo gjuha që po e përdor kryeministri edhe sidomos zëvendësja e tij [Donika Gërvalla] natyrisht që mujn me provoku situata të tilla për këtë kemi fol disa herë se kjo është gjuhë e cila mbjell përçarje e urrejtje edhe mundet me provoku situata të tilla. Po e përsërisë, nuk janë pamje që duhet me i pa por po aq pak duhet me i pa e me i ndëgju ato fjalime të cilat e përcjellin fushatën e Kurtit. Çka mbjell korrë thonë’’, ka thënë Gashi.

‘’Kjo gjuhë e urrejtjes herdo kur ka me prodhu dhunë’’, ka thënë ai.