Në Mazgit kanë nisur punimet për fazën e dytë të projektit të Koogjenerimit, që përfshin shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore në këtë zonë.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se ky projekt është i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Ai njoftoi se pas Mazgitit, rrjeti i Koogjenerimit do të shtrihet edhe në pjesët e tjera të mbetura dhe në Milloshevë, me synim që sistemi i ngrohjes qendrore të bëhet i qasshëm për sa më shumë familje.
Postimi i plotë:
Filluan punimet në fazën e dytë të projektit të Koogjenerimit në Mazgit
Së bashku me banorët e Mazgitit dhe bashkëpunëtorët, pamë nga afër fillimin e punimeve të projektit madhor të Koogjenerimit – faza e dytë, që përfshin shtrirjen e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në këtë zonë.
Ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe jetik për qytetarët tanë, i cili do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetës.
Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë po e realizojmë këtë projekt, do ta mbikëqyrim së bashku dhe shumë shpejt do ta gëzojmë së bashku!
Së shpejti, do të vazhdojë edhe shtrirja e rrjetit të Koogjenerimit në pjesët e tjera të mbetura dhe në Milloshevë, duke e bërë sistemin e ngrohjes qendrore të qasshëm për sa më shumë familje.
Jemi bashkë, dhe së bashku do ta shndërrojmë Obiliqin në qytetin më të bukur e më modern!
Urime, dhe na priftë e mbara!


