Lajme

Gashi: Në “Shtëpinë e Verdhë” nuk ka pasur kurrë pjesëtarë të UÇK-së, raporti i Dick Martyt është politik

03/29/2023 18:46
nga:Arsim Buxhovi

Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se në Shtëpinë e Verdhë nuk ka pasur asnjëherë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Senatori zviceran, Dick Marty në vitin 2010 nxori në publik një raport ku i inkriminonte ish-krerët e UÇK-së, edhe në trafikim organesh në një shtëpi në Shqipëri, e njohur si “Shtëpia e Verdhë”.

Në RTV Dukagjini, është avokati Tomë Gashi ai i cili thotë se pjesëtarët e UÇK-së nuk ishin asnjëherë në atë territor.

“Aty nuk ka pasur kurrë ish-pjesëtarë të UÇK-së, asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk ka qenë fare në shtëpinë e zotit Mercin Katuçi në fshatin Gur…ata nuk ka qenë kurrë në atë territor mirëpo inskenimi ka mundur, unë tash po aludoj që ka qenë një shtëpi specifike për atë kohë meqenëse kanë jetuar mbi 20 anëtarë të atë shtëpi. Ka qenë relativisht më e madhe se të tjerat në rrethinë dhe ka qenë në një pjesë kodrinore që në atë kohë ka qenë pak më e vështirë që të shkohet deri tek ajo shtëpi… ne me mediat kemi shkuar prej Prishtine, është rreth 3 orë rrugë…”, ka deklaruar ai.

Sipas Gashit i cili thotë se e gjithë situata ishte një inskenim, e njëjta kishte një tjetër qëllim.

“Nuk e di kush ju ka dhanë ide që të identifikohet kjo shtëpi por nëse do të identifikohej kjo do të identifikohej një tjetër. Po iu garantoj që këtu ka pasur implikm të lloj-lloj shërbimeve sekrete, detyrimisht kanë dashur që ta fajësojnë kombin shqiptar prandaj inskenimi është bërë atje”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, avokati Gashi e ka quajtur “politik” raportin e Dick Martyt.

“Raporti i Dick Martyt është raport politik, pastaj e kemi raportin e prokurorit Williamsoni cili ka punuar në kuadër të emisionit të EULEX-it…dhe nuk kanë gjetur kurrfarë prova”, ka deklaruar ai.

Gashi vlerëson se njolla që ka hedhur ky raport do të jetë prezente në historinë e Kosovës dhe se se kjo e fundit, do e ketë për barrë Gjykatën Speciale.

Këto pretendime të Martyt nuk janë përfshirë fare në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që ka ngritur kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.