Kandidati i LDK-së për deputet, Xhafer Gashi, ka folur për Gazeta Blic edhe për ndarjen e subvencioneve nga Qeveria, e rritjen e pagave.
“Krejtësisht politike dhe vet Kurti në 2021 thoshte se qeveritë që japin subvencione, ngritin paga e pensione janë për fushatë, të njëjtën gjë po e bën edhe ky, atë që ka thënë për qeveritë e kaluara”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, kjo s’do të ketë impakt, ndërsa që LDK do ta rrisë koeficientin e pagave në 150.
“Mendoj se s’do të ketë impakt sepse ngritja e pagës në vlerën e përcaktuar nga z.Kurti nuk ka impakt në përmirësimin e standardit të familjes dhe shumë qartë e ka thënë z.Abdixhiku që do ta bëjë ngritjen e koeficientit në 150 dhe mendoj që kjo do të ishte mundësia më e mirë për mbijetesë”, është shprehur ai.
Por, sa është e realizueshme kjo?
“z.Abdixhiku është ekonomist dhe e ka kalkuluar sektorin ekonomik dhe jam i bindur se do të realizohet ngritja e koeficientit”, ka theksuar Gashi.
Ai shton se do të rriten edhe pagat nga LDK.
“Edhe ato do të ngriten në bazë të standardit të jetës mendoj se do të ngriten edhe pensionet por edhe shtesat e fëmijëve”, ka shtuar kandidati për deputet.
Ndërsa, sa i përket nepotizmit, Gashi thotë se ai duhet të luftohet.
“Mendoj se njerëzit profesional do të kenë kujdes në kuptimin e nepotizmit dhe normal që do ta luftojnë nepotizmin dhe korrupsionin patjetër”.
Gashi ka kujtuar deklaratën e Kurtit kur ministrat e kryeministri bën shkelje ligjore.
“Këto ne e dimë të gjithë që janë dukuri negative, bile e pat potencuar edhe vet Kurti në kohën e fushatës 2021 se nëse një ministër bën shkelje në ligj, nënkupton kriminel dhe nëse kryeministri bën veprime të tilla, është kryekriminel. Unë mendoj që këto duhet të trajtohen me kujdes me njerëz profesional dhe krijohet një legjislaturë e arsyeshme dhe funksionale për vendin tonë”, ka deklaruar kandidati për deputet i LDK-së, Xhafer Gashi./Gazeta Blic/