Ali Gashi, kryetari i Këshillit Drejtues të Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë që iniciativa për punësimin e një anëtari nga secila familje ka qenë edhe më herët, teksa tha të jetë shokuar me injorimin që qeveria ua ka bërë sindikatave.
“Unë konsideroj që këtu është fatkeqësi që mungon dialogu social, dhe jo vetëm dialogu me sindikata, por konsideroj që qeveria është e obliguar dhe është në mandatin e saj që t’i prekë dhe të komunikojë me të gjitha grupet e interesit, odat, sindikatat dhe të tjerët të cilët kishin me kontribuu në zhvillimin dhe nxjerrjen sa më të mirë të një programi i cili kish me qenë i pranueshëm për palët. Unë të them të drejtën jam i shokuar me qëndrimin e qeverisë pasi që siç e dini angazhimi i sindikatave ka qenë jashtëzakonisht shumë demokratik, shumë parimor dhe vazhdimisht i kemi kërkuar duke marrë parasysh edhe sa mekanizma të tjerë i kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët që të ulen me sindikata e cila në njëfarë forme e ka injoruar dhe nuk ka gjetur kohë për të biseduar”, ka thënë Gashi për Info Magazine të Klan Kosovës.
Mirëpo, sipas Gashit, ka një parim të diskriminimit pasi që nuk ka të dhëna statistikore për numrin e familjeve dhe numrin e të papunëve.
“Ne e duartrokasim çdo iniciativë, por dëshiroj që t’jua jap një informatë. Kjo informatë ka ekzistuar edhe më herët për arsye se ka qenë një program i i cili është përkrahur nga UNDP-ja dhe ku zyrat për punësim kanë qenë implementuese të këtij programi ku janë subvencionuar të paktën sa kam informatë, me 50 për qind të pagave të gjithë të punësuarit që kanë interesu”.
“Këtu konsideroj që vihet në shprehje edhe parimi i diskriminimit për arsye se në njëfarë forme ti e ke nxjerrë në tabor vetëm një kontigjent i cili është në njëfarë forme pa marrëdhënie pune që ne të paktën nuk e kemi asnjë të dhënë, asnjë indikacion që na tregon se sa është numri i familjeve, sa janë njerëzit e papunë dhe njëkohësisht duhet pasur parasysh që ky kontigjent është në skemën pensionale”.


