Kandidati i PDK-së për deputet, Kujtim Gashi, ka falënderuar votuesit e tij për 16 mijë votat e marra, raporton Gazeta Blic.
“Rreth 16 mijë prej jush më dhatë jo vetëm një votë, por një mesazh besimi dhe një përqafim mbështetjeje. Mbi 8,200 prej këtyre votave erdhën nga Prizreni, qyteti im, që më ka formuar dhe më ka dhënë gjithçka. Të ndiej këtë përkrahje nga ju është një ndjenjë e papërshkrueshme, një nder i madh dhe një përgjegjësi që e marrë me gjithë përkushtimin tim”, ka shkruar ai.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se nuk është fundi i asgjëje, sepse kur bashkohen zemrat dhe mendjet për një qëllim të përbashkët, rruga është gjithmonë përpara.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur miq, bashkëudhëtarë dhe mbështetës,
Kjo përvojë ka qenë një nga më të veçantat dhe më emocionueset e jetës sime. Nuk ka qenë thjesht një garë, por një rrugëtim me njerëz të jashtëzakonshëm, me histori, ëndrra dhe shpresa që më kanë prekur thellë.
Rreth 16 mijë prej jush më dhatë jo vetëm një votë, por një mesazh besimi dhe një përqafim mbështetjeje. Mbi 8,200 prej këtyre votave erdhën nga Prizreni, qyteti im, që më ka formuar dhe më ka dhënë gjithçka. Të ndiej këtë përkrahje nga ju është një ndjenjë e papërshkrueshme, një nder i madh dhe një përgjegjësi që e marrë me gjithë përkushtimin tim.
Kam parë në sytë tuaj pritshmëri, kam ndier në duart tuaja forcën e së mirës dhe kam dëgjuar në fjalët tuaja motivimin për të vazhduar. Kjo është ajo që do të më udhëheqë, përtej numrave, përtej rezultateve. Besimi juaj është arsyeja pse do të vazhdoj të punoj me gjithë zemër, me të njëjtin pasion dhe përkushtim, për qytetin dhe vendin tonë.
Kjo nuk është fundi i asgjëje, sepse kur bashkohen zemrat dhe mendjet për një qëllim të përbashkët, rruga është gjithmonë përpara.
Nga zemra, faleminderit secilit prej jush! Për besimin, për mbështetjen, për fjalët e ngrohta dhe për çdo dorë që më është shtrirë në këtë rrugëtim. Kjo është forca ime! Ju jam pafundësisht mirënjohës!