Sporti

Gary Neville: Barcelona nuk do ta ndryshojë kurrë stilin e saj, as United nuk duhet poashtu

01/06/2026 12:54
nga:Mergim Rreci

Ish-mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville, i ka kërkuar klubit të ndalojë eksperimentet me trajnerët dhe të emërojë dikë që i përshtatet stilit të tyre tradicional të lojës.

United ka konfirmuar se ish-mesfushori Darren Fletcher do të marrë përsipër përkohësisht drejtimin e ekipit për ndeshjen e së mërkurës në Premier League kundër Burnley, ndërsa kërkimi për një zëvendësim të përhershëm për Ruben Amorim vazhdon.

“Eksperimentimi duhet të ndalet,” tha Neville për Sky Sports. “Gjithmonë kam qenë krenar për atë që është ky klub: futboll aventuresk dhe emocionues, me lojtarë të rinj, që argëtojnë tifozët. Ata duhet të marrin rreziqe dhe të kenë guximin të luajnë futboll sulmues dhe agresiv.”

Amorim, i cili ishte trajneri i dhjetë i United, që kur Alex Ferguson u tërhoq në vitin 2013, është kritikuar për formacionin e tij 3-4-3 dhe për komentet e tij publike për ekipin, duke përfshirë edhe përshkrimin e tij si “ndoshta më i keqi në historinë e klubit” vitin e kaluar.

“Barcelona nuk do të ndryshojë kurrë për askënd dhe nuk mendoj se United duhet të ndryshojë. Klubi duhet të gjejë një trajner me përvojë, i cili është gati të luajë futboll të shpejtë, argëtues dhe sulmues”, tha Neville.

Shkarkimi i Amorimit i kushtoi Manchester Unitedit plot 30 milionë funte.

/GazetaBlic Sport/