Lojtari i kombëtares së Anglisë, Phil Foden është gati të rikthehet në Gjermani. “Ylli” i Manchester Cityt udhëtoi të mërkurën drejt ishullit për lindjen e fëmijës së tij të tretë. 24-vjeçari e la kampin e Tre Luanëve, teksa Federata Angleze e arsyetoi si një çështje urgjente familjare.
Foden, autor i 37 ndeshjeve me Anglinë, luajti në të tri sfidat e fazës së grupeve ndaj Serbisë, Danimarkës dhe Sllovenisë. Me të besuarit e Gareth Southgate që e mbyllën në vendin e parë në grup me 5 pikë.
Në raundin e 1/8-ave të Euro 2024, Anglia do të ndeshet me Sllovakinë, të dielën në Gelsenkirchen. Duel ku Foden, i cili do të përfshihet në stërvitjen e së premtes me pjesën tjetër të grupit, do të jetë i gatshëm.
Ndryshe nga Europiani i kaluar ku Anglia u mund në finale nga Italia, këtë vit ishullorët besojnë se mund të triumfojnë. Dhe vijojnë të jenë favoritët e bookmakersave, pavarësisht formës jo të mirë deri tani.
Rikthimi i Phil Foden është sigurisht i rëndësishëm pas dyshimeve që u krijuan. Pasi është një titullar i padiskutueshëm i Gareth Southgate.
Debutimin me Anglinë, Foden e bëri më 5 shtator të 2020 dhe në 37 ndeshje që ka luajtur ka shënuar 4 gola.