Seria A e këtij sezoni është më e ekuilibruar se kurrë.
Pesë skuadra po rivalizojnë me njëra-tjetrën në garën për Champions dhe për titullin kampion. Mes Interit kryesues dhe Juventusit në vendin e pestë diferenca është vetëm 4 pikë, edhe pse bardhezinjtë kanë një ndeshje më shumë. Në mes janë Milani, Napoli dhe Roma.
Një situatë që i bën të vështira parashikimet dhe skenarët për të ardhmen. Ekipet kanë pika të forta dhe të dobëta, çka konfirmohet edhe nga shifrat. Ekipi kryesues ka 36 pikë pas 16 ndeshjesh, ecuria më e dobët e 10 viteve të fundit. Projeksioni të çon te titulli kampion me 82 deri në 85 pikë.
Juventusi që dominonte titujt, Napoli i Spallettit apo Interi i Inzagit në vitin e yllit të dytë janë thjesht kujtime. Sot edhe ekipet kryesuese kanë probleme. Interi ka 4 humbje, Roma ka 6. Vetëm Milani ka statistikë të denjë për ekip kampion me 1 humbje, por ka shumë barazime.
Sa i përket garës për Champions, mund të mjaftojnë 73 deri në 75 pikë. Sipas simulimeve të Football Meets Data, në këto momente Interi, Milani dhe Napoli kanë shanset më të shumta për të siguruar biletën europiane. Vendi tjetër është në luftë mes Juventusit dhe Romës.
Por në këtë kampionat mund të ndodhë gjithçka pas një humbjeje apo një fitoreje.

