Ishte 1 dhjetori i vitit të kaluar kur atë kohë në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti e kishte çuar një letër në Gjykatën Speciale. Aty, tanimë kreu i qeverisë jepte një lloj garance për mbrojtjen në liri të bashkëpartiakut të tij, Rexhep Selimi.
14 faqe me gjithësej 51 pika ankesë kishte dërguar avokati i Rexhep Selimit, David Young, në adresë të gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou përmes së cilës kërkonte lirimin me kusht të klientit të tij, shkruan lajmi.net.
Përveç konkluzioneve dhe kërkesave, në këtë parashtresë si aneks i veçantë ishte përfshirë edhe një letër nga Albin Kurti në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes. Aty Kurti jepte një lloj garance se Selimi nuk do t’i ikë drejtësisë në rast të mbrojtjes në liri.
Madje thoshte se kushdo që e njeh Rexhep Selimin, e di se një gjë e tillë bie ndesh me atë që ai përfaqëson si individ dhe veprimtar.
“Njësoj, edhe pretendimi se ai mund të ndërhyjë me veprimet e tij në administrimin e drejtësisë së Dhomave të Spcializuara në Hagë në çfarëdo forme, është tërësisht i pabazuar dhe lehtë i kundërshtueshëm në tërësinë e tij. Kushdo që ka njohur dhe punuar me Rexhepin, mund të tregojë me bindje të plotë se çdo veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me atë që Rexhepi përfaqëson me ekzistencën dhe veprën e tij. Prandaj, konsideroj që në vlerësimin e kërkesës për lirim me kusht të shtruar para jush, ju si gjyqtar do ta merrni parasysh karakterin dhe integritetin e lartë të Rexhepit”, thuhej në njërin prej paragrafeve ku Kurti garantonte se Selimi nuk do t’i ikë drejtësisë.
Sidoqoftë, kjo letër e Kurtit nuk ishte marrë fort për bazë nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, i cili herën e parë e kishte refuzuar kërkesën e Selimit, teksa të njëjtën gjë më pas e kishin bërë e Dhomat e Apelit që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale.
E me ardhjen në qeveri, Kurtit nuk po i intereson edhe aq shumë që sërish të formulojë një garancë të tillë, mirëpo tani në cilësinë e kreut të qeverisë së Kosovës.
Madje, nga qeveria e Kosovës arritën në aludimin se nuk mund të bëjnë një kërkesë të tillë për garancë, pasi që sipas tyre Kosova nuk konsiderohet shtet i tretë. Një arsyetim të njëjtë e dha edhe presidenca.